Hapet Forumi i 19-të i Dubrovnikut

Nga Xh M
1,763 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Dubrovnik, 26 qershor Zhurnal.mk – Në Dubrovnik sot fillon Forumi i 19-të i Dubrovnikut, konferencë ndërkombëtare me titull “Epoka e multipolaritetit: Shumë drejtime, një e ardhme”, e cila gjatë dy ditëve do të mbledhë zyrtarë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, komunitetit shkencor, ekonomisë dhe shoqërisë civile nga shumë vende të botës, raporton Anadolu.

Edicioni i sivjetshëm i Forumit njëkohësisht shënon 20-vjetorin e themelimit të konferencës, e cila në vitin 2006 filloi me emrin “Croatia Summit”.

Në fokus të diskutimeve janë ndryshimet në rendin global, siguria dhe mbrojtja, qëndrueshmëria energjetike, inteligjenca artificiale, lëndët e para kritike, ndërlidhja ekonomike, siguria detare si dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor, Afrikë dhe rajonin Azi-Paqësor.

Vëmendje e veçantë i kushtohet bashkëpunimit në Mesdhe, në kontekstin e kryesimit të Kroacisë me grupin e BE-së MED9 dhe Nismën e Tre Detrave.

Organizatorët theksojnë se Forumi i sivjetshëm vë theksin te ndryshimet kryesore gjeopolitike dhe forcimi i sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar ndërsa panelet do të përfshijnë tema nga qëndrueshmëria energjetike dhe politika e migracionit deri te ndikimi i inteligjencës artificiale në diplomaci dhe shoqëri.

Si hyrje në programin kryesor po mbahet edhe Forumi i parë Rinor i Dubrovnikut me moton “Bridging Seas, Building Future”, i cili ka mbledhur 30 ekspertë të rinj nga më shumë se 20 vende.

Në hapje të aktivitetit, pjesëmarrësit i përshëndetën ministri kroat i Shkencës dhe Arsimit, Radovan Fuchs dhe sekretari shtetëror Frano Matushiq, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në zgjidhjen e sfidave globale dhe formësimin e politikave të ardhshme ndërkombëtare.

Gjatë programit pesëditor, pjesëmarrësit e Forumit Rinor do të prezantojnë propozime dhe rekomandime për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore ndërkombëtare.

Forumi i Dubrovnikut edhe këtë vit konfirmon rolin e Kroacisë si mikpritëse e njërit prej takimeve më të rëndësishme diplomatike ndërkombëtare në rajon, duke mbledhur zyrtarë dhe ekspertë botërorë rreth çështjeve me rëndësi globale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër