Janevska: Me mbështetje qeveritare prej 7 milionë eurosh, po përmirësohet infrastruktura arsimore në Manastir

Nga D V
1,205 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 korrik, Zhurnal.mk – Në lagjen Bukovski Livadi në Manastir po zhvillohen aktivitete për adaptimin e një objekti që deri në fund të vitit do të shndërrohet në shkollë të re vartëse të SHFK “Kole Kaninski”. Bëhet fjalë për një investim me vlerë 31 milionë denarë, i cili po realizohet nga vetëqeverisja lokale me mbështetje të Qeverisë. Sot, punimet i inspektuan kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe kryetari i Manastirit, Toni Konjanovski.

Janevska theksoi se Qeveria vazhdon me investime intensive në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, me qëllim që të gjithë nxënësit të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor, pavarësisht se ku jetojnë.

“Urime për këtë investim të rëndësishëm të komunës së Manastirit, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë. Është e rëndësishme të ndërtohet aty ku ka nevojë reale, të përmirësohet infrastruktura arsimore dhe kudo të krijohen kushte për arsim cilësor. Me adaptimin e këtij objekti, i cili do të ketë pesë klasë, bibliotekë dhe hapësira sanitare, përfshirë edhe për nxënës me nevoja të veçanta arsimore, fëmijët e lagjes Bukovski Livadi do të mund ta përfundojnë arsimin fillor në vendbanimin e tyre, në vend që çdo ditë të udhëtojnë në zona të tjera. Kështu u kursejmë kohë dhe u mundësojmë të përkushtohen më shumë në mësim dhe të arrijnë rezultate edhe më të mira”, deklaroi Janevska.

Ministrja theksoi se ky është vetëm një pjesë e ciklit të rëndësishëm investues që po realizohet në Manastir me mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Komuna nuk është e vetme në përpjekjet për arsim më të mirë. Janë siguruar mjete për rreth 15 investime infrastrukturore. Ministria tashmë ka përfunduar rikonstruksionin e sallës sportive në SHFK ‘Elpida Karamandi’, është në ndërtim një nga tre sallat e reja sportive shkollore, po finalizohet ndërtimi i shtatë fushave sportive shkollore, do të rikonstruktohen katër shkolla, ndërsa nga viti i ardhshëm fillon rikonstruksioni i konviktit studentor ‘Koço Racin’. Bëhet fjalë për një cikël investimesh me vlerë mbi 450 milionë denarë, pra më shumë se 7 milionë euro, me të cilin do të përmirësohen ndjeshëm kushtet për arsim dhe sport në Manastir”, theksoi Janevska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër