Informacionet për 50 të infektuar me HIV në Prilep janë të rreme

Nga Xh M
788 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prilep, 11 korrik Zhurnal.mk – Ditëve të fundit, në rrjetet sociale në Prilep po qarkullojnë masivisht informacione të paverifikuara se në qytet ka rreth 50 persona të rinj të infektuar me HIV, madje edhe pretendime se Qendra për Shëndet Publik në Prilep ka zhvilluar testime të organizuara në disa kompani. Nga Qendra për Shëndet Publik i mohojnë kategorikisht këto informacione dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të mos bien pre e spekulimeve.

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik në Prilep, dr. Goran Kuzeski, thekson se shifrat janë të qarta dhe të regjistruara zyrtarisht.

“Po spekulohet me shifra prej 50 personash të rinj të infektuar, madje përmendet se ka edhe të rinj të prekur. Dua t’i hedh poshtë këto spekulime, sepse shifrat janë ato që janë. Nga viti 1987 e deri më sot, në Prilep janë konfirmuar zyrtarisht 37 raste me HIV/AIDS. Dua ta informoj popullatën që të mos u besojë këtyre informatave të paverifikuara dhe të pasakta. Çdo person që dëshiron ta dijë statusin e tij lidhur me HIV-in mund të drejtohet lirisht në Qendrën për Shëndet Publik në Prilep, ku mund të kryejë falas testin për HIV”, tha Kuzeski.

Sipas të dhënave zyrtare, nga rasti i parë i regjistruar në vitin 1987 e deri më sot, në Prilep janë evidentuar gjithsej 37 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 23 janë HIV-pozitivë, 14 kanë zhvilluar AIDS, ndërsa deri në fund të vitit 2025 kanë ndërruar jetë shtatë persona. Gjatë vitit 2026 janë regjistruar edhe tre raste të reja, që do të thotë se aktualisht në qytet jetojnë rreth 30 persona që janë HIV-pozitivë ose të sëmurë me AIDS.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë te meshkujt. Nga gjithsej 37 raste, 33 janë meshkuj dhe katër janë femra. Sipas strukturës së moshës, rreth 78 për qind e të prekurve janë të moshës nga 20 deri në 39 vjeç.

Sa i përket mënyrës së transmetimit, pjesa më e madhe e rasteve janë te meshkujt që kanë marrëdhënie seksuale me meshkuj (MSM) – 27 raste ose rreth 72 për qind e numrit të përgjithshëm. Transmetimi heteroseksual është regjistruar te shtatë persona, një rast lidhet me përdorimin e drogave me injektim, ndërsa dy raste janë rezultat i transmetimit vertikal nga nëna te fëmija.

Sipas të dhënave të Qendrës për Shëndet Publik, në vitet e fundit në Prilep zakonisht janë regjistruar një deri në dy raste të reja me HIV në vit, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar tre raste të reja të AIDS-it.

Nga Qendra për Shëndet Publik përsërisin se nuk ka vend për panik, por u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të përgjegjshëm dhe të praktikojnë sjellje të sigurta seksuale. Mbrojtja më e mirë nga HIV-i dhe infeksionet e tjera seksualisht të transmetueshme është përdorimi i prezervativit, ndërsa çdo person që konsideron se ka qenë i ekspozuar ndaj rrezikut mund të testohet falas dhe në mënyrë konfidenciale në Qendrën për Shëndet Publik në Prilep.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër