Editorial / Kush do ta paguajë dëmin nga universitetet që nuk i kanë plotësuar kriteret!

Nga R.ZH
2,359 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Deri më tani janë mbyllur 18 institute dhe një shkollë private profesionale, ndërsa aktualisht po kryhet monitorim në të paktën pesë universitete, ndërsa paralelisht po zhvillohen procedura për mbylljen e pesë ose gjashtë instituteve të tjera shkencore. Kur i dëgjon këto të dhëna, njeriu duhet të tmerrohet, dhe gjithkush që ka qenë përgjegjës për funksionimin e këtyre universiteteve pa asnjë kriter, duhet të japë dorëheqje dhe të mbajë përgjegjësi. Shtrohet pyetja se sa nxënës e studentë kanë marrë diploma në këto vatra të arsimit dhe çfarë cilësie është kërkuar nga këta studentë!, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ministria e arsimit do t’i mbylle 5-6 universitete!

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska njoftoi se Ministria po kryen inspektime të intensifikuara në arsimin e lartë, dhe institucionet ku identifikohen parregullsi serioze mund të lihen pa akreditim dhe të mbyllen.

Aktualisht po kryhet monitorim në të paktën pesë universitete, ndërsa paralelisht po zhvillohen procedura për mbylljen e pesë ose gjashtë instituteve të tjera shkencore. Sipas ministres, 18 institute dhe një shkollë private profesionale janë mbyllur tashmë për shkak të parregullsive në veprimtarinë e tyre.

Vlerësimet fillestare, të kryera nga ekspertë të huaj përmes Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, treguan rezultate të përziera. Disa nga institucionet e arsimit të lartë, funksionojnë sipas tandardeve të përcaktuara, por mangësi serioze janë vërejtur në të tjera.

Kujdes ndaj studentëve!

Institucioneve ku identifikohen probleme, Ministria e Arsimit do t’u jepet së pari një afat ligjor për t’i eliminuar ato. Nëse nuk veprojnë brenda afatit të përcaktuar, akreditimet e tyre do të revokohen dhe ato do të mbyllen.

Në të kaluarën, akreditimet janë dhënë pa kontrolle mjaftueshëm të detajuara, ndërsa tani procesi kryhet me kontroll më të madh dhe me përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë.

Edhe pse nuk janë publikuar emrat se cilat universitete po mbikqyren dhe cilat janë në prag të mbylljes, një gjë duhet të jetë e sigurtë, që të mbrohen studentët të cilët pa fajin e tyre janë regjistruar nëpër këto universitete.

Nuk guxon që çmimin për dështimin e universiteteve, të atyre që i kanë formuar këto universitete dhe të atyre të cilët i kanë lejuar të hapen këto universitete, ta paguajnë studentët. Studentët si gjikthkund në botë regjistrohen aty ku ua merr mendja se mund të përfundojnë studimet më shpejt dhe shikojnë nëse këta diploma janë të pranuara. Tani shteti nuk guxon të dëmtojë studentët, shkruan “Zhurnal.mk”.

Një popull pa arsim, si një popull i verbër!

Fatkeqësisht në të kaluarën u krijuan shumë institucione të cilat në vend se të shpërndanin dije, më shumë shpërndanin diploma. Prandaj, niveli i arsimit ra në pikën e fundit sa në asnjë renditje botërore ose rajonale nuk renditen universitetet e Maqedonisë së Veriut. Të rinjtë i kishin bërë disa universitete si të ishin një “kafehane” ku më shumë shkonin për të humbur kohë e për të bërë qejf se sa për të mësuar. Nuk ishte aspak problem diplomimi, sidomos në disa universitete private!

Pyetja që shtrohet vetvetiu është se këta universitete që kanë punuar pa kritere të plotësuara, çfarë të diplomuar kanë nxjerrë në tregun e punës? Ku janë punësuar ato, çfarë mësimesh kanë marrë, çfarë proferorë kanë ligjëruar në këto universitete dhe sa para është paguar për ta marrë një diplomë. Nëse universiteti nuk ka plotësuar kushtet dhe kriteret bazë, atëherë çfarë pritet prej studentëve dhe mësimdhënësve. Prandaj, dëmi i shkaktuar është i pariparueshëm dhe sa më shpejt të jetë e mundur duhet që personat që i kanë lëshuar këto akreditime apo këto diploma të mbajnë përgjegjësi. Jo rastësisht një fjalë e urtë thotë “popolli pa arsim, është si njeriu pa sy, sepse gjithmonë do të jetë i verbër! Neve me universitetet të dobëta e me diploma të blera na i çorruan sytë dhe tani po i vuajmë pasojat!, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër