BDI: Emërim i paligjshëm në RTVM, kapje brutale e institucionit publik

Nga I.A
1,430 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – BDI ka reaguar përmes një kumtese që bënë thirrje për hetim ndaj emërimit të fundit në RTM, në pozitën e zëvëndësdrejtorit të një kandidatit që sipas BDI-së i njëjti para një muaji nuk i ka plotësuar kushtet çfarë ndodhi që sot i plotësoi.

Reagimi i plotë:

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër vendimin skandaloz të Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë për emërimin e zëvendësdrejtorit, në kundërshtim flagrant me ligjet dhe çdo standard profesional.
Ky nuk është vetëm një gabim procedural – është një akt i pastër kapjeje politike të një institucioni publik që financohet nga të gjithë qytetarët. Emërimi i një personi që nuk i plotëson kushtet elementare ligjore për përvojë pune dhe menaxheriale përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjeve në fuqi dhe degradim të rëndë të profesionalizmit në media publike.
Ligji i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audivizuele dhe Ligji për Nëpunës Administrativ janë të qartë: përvoja e punës llogaritet vetëm pas përfundimit të arsimit përkatës dhe në pozicione që kërkojnë atë nivel arsimor. Po aq e qartë është edhe kërkesa për minimum tetë vite përvojë profesionale dhe katër vite në pozitë udhëheqëse. Në këtë rast, këto kushte janë injoruar në mënyrë të qëllimshme.
Zëvendësdrejtori i emëruar nga anëtarët e VMRO-DPMNE dhe VLEN në Këshillin Programor provimin e parë në arsimin e lartë e ka dhënë në vitin 2020, ndërsa ka diplomuar katër vite më pas, në 2024. Përvojë pune me më shumë vite, drejtori i emëruar ka në tregti me tekstil, ndërkohë që as edhe një ditë punë në gazetari.
BDI vlerëson se ky vendim përbën precedent të rrezikshëm dhe sinjal alarmi për politizimin e plotë të mediave publike. RTVM po shndërrohet në vegël partiake, duke humbur funksionin e saj si shërbim publik i pavarur.
Pyetja që kërkon përgjigje urgjente është: Si mundet që një kandidat para një muaji të mos i plotësonte kushtet me çka edhe u anulua konkursi, sot i njëjti person t’i plotësojë kushtet?
Kërkojmë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që menjëherë të hapë procedurë dhe të anulojë këtë emërim të paligjshëm. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë pa vonesë për të hetuar përgjegjësinë penale të anëtarëve të Këshillit Programor.
U bëjmë thirrje edhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Këshillit të Etikës në Media dhe faktorëve ndërkombëtarë që të reagojnë fuqishëm ndaj këtij politizimi të hapur.
Kapja e institucioneve nuk do të kalojë pa përgjegjësi. RTVM nuk është pronë e asnjë partie – është e qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër