Mexhiti: Identiteti i një populli ruhet, forcohet dhe përcillet me kulturën, Çairi tashmë do ta ketë festivalin e tij

Nga I.A
985 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, përmes një konference për media nga Sheshi Skënderbeu informoi qytetarët që tashmë Çairi do të ketë festivalin e tij.

“Identiteti i një populli ruhet, forcohet dhe përcillet me kulturën. Me artin. Me traditat që krijon dhe ua lë brezave që vijnë. Prandaj, Çairi tashmë do ta ketë festivalin e tij. Pas Panairit të Librit, Shkupit dhe Çairit i shtohet edhe një ngjarje e rëndësishme kulturore: edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, një nismë e Komunës së Çairit që synon të kthehet në një traditë të përvitshme dhe ta vendosë Shkupin edhe më fuqishëm në hartën kulturore të rajonit”, tha Mexhiti për mediat.

Ai shtoi tutje që nga 23 deri më 26 korrik, Suli Ani dhe Kurshumli Ani do të shndërrohen në skena ku muzika klasike do të takohet me trashëgiminë e Çarshisë së Vjetër.

“Nga 23 deri më 26 korrik, Suli Ani dhe Kurshumli Ani do të shndërrohen në skena ku muzika klasike do të takohet me trashëgiminë e Çarshisë së Vjetër. Nën drejtimin artistik të Inva Mulës dhe Dëshira Ahmetit, festivali do të mbledhë artistë të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë, duke i dhënë qytetit një tjetër ngjarje me peshë në kalendarin kulturor. Ambicia jonë nuk është të organizojmë vetëm një festival. Ambicia jonë është të krijojmë një traditë. Të ndërtojmë një institucion kulturor që do të rritet me çdo edicion, do të tërheqë artistë nga e gjithë bota dhe do ta bëjë Shkupin një pikëtakim të rëndësishëm të muzikës klasike në rajon. Sepse investimi në kulturë është investim në identitet. Dhe identiteti është pasuria më e madhe që një qytet mund t’u lërë brezave”, tha mes tjerash kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër