Takim protokollar mes kryetarit të Kuvendit Gashi dhe ambasadorit britanik Matthew Lawson

Nga I.A
971 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 korrik, Zhurnal.mk – Sot në Kuvend u mbajt një takim protokollar mes kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, dhe ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Matthew Lawson. U konstatua se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar janë të shkëlqyera dhe zhvillohen në mënyrë të rregullt, me dinamikë të qëndrueshme bashkëpunimi.

Kryetari Gashi veçoi bashkëpunimin në nivel të kryetarëve të parlamenteve, duke iu referuar vizitës së tij zyrtare vitin e kaluar në Parlamentin Britanik. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes projektore për Kuvendin që realizohet përmes Westminster Foundation for Democracy, e cila kontribuon në forcimin e funksioneve të Kuvendit dhe të administratës parlamentare.

Ambasadori Lawson shprehu kënaqësi për konfirmimin e vazhdimit të bashkëpunimit tashmë të vendosur.

Kryetari Gashi e informoi ambasadorin për procesin e digjitalizimit të Kuvendit, për forcimin e rolit mbikëqyrës të institucionit, si dhe për ngritjen e nivelit të kulturës politike dhe përmirësimin e perceptimit publik për shtëpinë ligjvënëse.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi aktivitetet e ardhshme të Kuvendit, mundësitë dhe format e bashkëpunimit brenda kornizës ekzistuese, si dhe potencialet për forma të tjera bashkëpunimi me interes të ndërsjellë. U shpreh mirënjohje e veçantë ndaj Mbretërisë së Bashkuar për rolin udhëheqës dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin dhe momentet kyçe historike të vendit si demokraci evropiane e pavarur.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër