Shkup, 14 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar thellimin e bashkëpunimit me Universitetin “Nënë Tereza” në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, me fokus në projekte që promovojnë shëndetin, sportin dhe arsimin, shkruan, Zhurnal.mk.
Sipas njoftimit, gjatë një takimi pune me delegacionin e universitetit janë dakorduar hapat e ardhshëm të bashkëpunimit, ndërsa si rezultat i parë është vendosur të nisë Shkolla Verore e Notit për fëmijët e moshës 5 deri në 10 vjeç.
Mësimet do të jenë falas dhe do të zhvillohen në pishinën e Çairit, nën drejtimin e profesorëve dhe asistentëve të Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit “Nënë Tereza”, me qëllim ofrimin e një programi profesional dhe të sigurt për fëmijët.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në projekte të tjera në fushën e shëndetësisë, sportit dhe arsimit. Po ashtu, bashkëbiseduesit kanë shqyrtuar ecurinë e investimit për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, për të cilin u tha se punimet po zhvillohen sipas planifikimit.
Kryetari i Komunës së Çairit theksoi se investimi në shëndetin e fëmijëve dhe partneriteti me institucionet arsimore mbeten ndër prioritetet e komunës, duke shtuar se bashkëpunime të tilla synojnë të krijojnë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe të kontribuojnë në mirëqenien dhe zhvillimin e brezave të rinj.
