Shkup, 23 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot realizoi takim me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Florian Qehaja, ku u konfirmua përcaktimi i përbashkët për avancimin e bashkëpunimit bilateral dhe intensifikimin e partneritetit në fushën e drejtësisë dhe integrimeve evropiane.
Maqedonia dhe Kosova, si fqinjë dhe partnerë të mirë, ndajnë të njëjtin vizion për rajon të qëndrueshëm, të bazuar në sundimin e ligjit, vlerat demokratike dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira të cilat do të kontribuojnë në zbatimin më efikas të proceseve reformuese.
Vëmendje e veçantë iu kushtua reformave në sistemin e gjyqësorit, forcimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe procesit të digjitalizimit. Ministri Shasivari theksoi se sistem funksional, i pavarur dhe efikas i gjyqësorit është parakusht për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për përparim të suksesshëm në procesin e integrimeve evropiane.
Përcaktimi i përbashkët për reforma, sundimin e ligjit dhe integrimin evropian përbën një bazë të fortë për një bashkëpunim edhe më intensiv ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës.
“Takim vëllazëror me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, z. Florian Qehaja.
Biseduam për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në fushën e drejtësisë, forcimin e sundimit të ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe digjitalizimin e sistemit të drejtësisë.
Maqedonia e Veriut dhe Kosova, si vende fqinje dhe partnere, ndajnë të njëjtin vizion për një rajon të qëndrueshëm, demokratik dhe të integruar në Bashkimin Evropian.
Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira do të kontribuojë në zbatimin më efikas të reformave dhe në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë.”, u shpreh ministri Shasivari.
