Gostivar, 24 korrik Zhurnal.mk – Gostivari ende është në pritje të ujit të përdorshëm. Ekspertët po vazhdojnë procesin e hiperklorimit të ujit, ndërsa mostrat po merren në intervale të rregullta për të kontrolluar cilësinë e ujit dhe për të përcaktuar momentin kur ai do të jetë i sigurt për përdorim.
Numri i të infektuarve në Gostivar po shënon rënie. Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë me hiperklorimin e ujit dhe presin që deri në fund të javës së ardhshme qytetarët të mund ta përdorin sërish ujin e çezmave për pije.
Aktualisht, furnizimi me ujë teknik bëhet përmes disa pikave me cisterna për institucionet dhe për qytetarët. Ndërsa, po vazhdon edhe shpërndarja e ujit të pijshëm përmes Kryqit të Kuq, Qeverisë dhe sektorit të biznesit.
“Ekipet e ujsjellësit të Qytetit të Shkupit në bashkëpunim me ekipet e NP Komunale janë duke i marrë të gjtha masat e nevojshme për pastrimin e rrjetit të ujsjellësit me metoda që janë punë ekspertësh, punojnë lirshëm pa u penguar askush dhe sipas deklaratave të kryetarit të komunës dhe kryetarit të shtabit qendror, pritet që në fund të javës të ketë ujë teknik, derisa ka fundi i javës tjetër pritet që qytetarët të furnizohen me ujë të pijshëm.”, – deklaroi koordinatori i Shtabit Lokal të Krizës, Zudi Xhelili.
Qytetarët theksojnë se kanë kujdes dhe se janë të detyruar të blejnë ujin deri në normalizimin e situatës.
“Nuk po furnizohemi fare, vetëm blejmë. Vjen një autobot, por unë për veten time kam dëshirë të blej më mirë, të blej të jetë të pastër se e tërë familja dy-tre ditë ka pasur shumë probleme, barkqitje, vjellje, e tani mirë jemi.”, – tha një qytetar.
“Me hidrofor furnizohemi me ujë, faktikisht me rrymë.”, – tha një qytetar tjetër.
“Na japin nga një pako me ujë, përndryshe uji nuk përdoret aspak, as për t’u pirë, por as edhe për amvisëri deri të dielën, por më pas thonë se do të përdoret uji. Unë vij nga fshati të marr pako uji, sepse në fshat nuk shpërndahet. E shfrytëzojmë për pije dhe larje.”, – u shpreh një qytetar.
Siç njoftuan nga shtabi i krizës deri tani janë furnizuar edhe rreth 2 mijë familje me nevoja të veçanta.
