Shoku më tërhoqi nga krevati, vetëm pak sekonda para se muri të shembej

Nga Xh M
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 korrik Zhurnal.mk – Vinko Srbllak ishte një student i ri kur tërmeti shkatërrues e zuri në konviktin “Kuzman Josifovski – Pitu”, ku për pak sa nuk humbi jetën. Ai kujton momentet e frikës, shpëtimin e studentëve francezë dhe ditët kur të gjithë së bashku ndihmuan në rindërtimin e Shkupit të rrënuar. Pas gjashtë dekadash, dëshmia e tij mbetet një rrëfim për njerëzimin, solidaritetin dhe kohën kur njerëzit i zgjatnin dorën njëri-tjetrit, pa dallim feje apo kombësie.

Tetëdhjetë e trevjeçari Vinko Srbllak edhe sot, plot 63 vjet më vonë, i mban të gjalla kujtimet e atij mëngjesi të tmerrshëm korriku, kur Shkupi u zgjua nën rrënoja. Më 26 korrik 1963, në vend të një dite të zakonshme vere, qyteti përjetoi një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e tij.

Srbllak atëherë ishte një student i ri, i cili rastësisht u gjend në qendër të tragjedisë. Në vend që të kthehej në Mitrovicën e Kosovës pas përfundimit të provimeve, ai kishte qëndruar në Shkup për të ndihmuar.

– Pas përfundimit të afatit të provimeve të qershorit, duhej të isha në Mitrovicën e Kosovës. Por, me vendim të institucioneve përgjegjëse dhe organeve shtetërore të asaj kohe, mbeta në Shkup për të punuar vullnetarisht, së bashku me disa kolegë nga fakultete të ndryshme. Unë isha përfaqësues i Fakultetit Teknik në komisionin për pranimin e studentëve në konvikte për vitin e ri akademik. Komisioni ishte vendosur në konviktin “Kuzman Josifovski – Pitu”, në katin e dytë. Askush nuk mund ta imagjinonte se pikërisht aty do të na zinte fatkeqësia më e madhe – kujton Srbllak.

Atë mbrëmje në konvikt kishte mbërritur edhe një grup studentësh francezë, pjesë e një programi shkëmbimi studentor. Të rinj nga vende të ndryshme, të mbledhur nën të njëjtën çati, nuk e dinin se vetëm pak orë më vonë do të luftonin për jetën.

– Edhe ata u vendosën në të njëjtin kat. Të rinjtë rrinin me të rinjtë – bisedonim, shoqëroheshim dhe u shtrimë herët për të fjetur. Por ajo natë ishte fatale. Lëkundjen e ndjeva papritur. Pande, mbiemrin e të cilit nuk e kujtoj më, ishte anëtar i komisionit nga fakultetet shoqërore dhe reagoi i pari. Ai më tërhoqi nga krevati dhe më shpëtoi jetën. Më vonë pashë se muri ndarës i dhomës ngjitur kishte rënë pikërisht mbi shtratin tim. Po të kisha qëndruar edhe disa sekonda aty, kush e di se çfarë do të kishte ndodhur – rrëfen me zë të qetë Srbllak.

Korridori i katit të dytë ishte shndërruar në një kaos të vërtetë. Errësirë, pluhur, rrënoja dhe britma njerëzish – një pamje që nuk harrohet kurrë.

– Në korridor ishte errësirë. Nuk shihej asgjë nga pluhuri dhe muret e shembura. Dëgjoheshin vetëm britma. Studentët francezë vraponin në panik nga njëri skaj i korridorit në tjetrin, pa e ditur se shkallët ndodheshin në mes të ndërtesës. I pashë të hutuar, i thirra, i mora pranë meje dhe zbritëm së bashku. Për fat të mirë, të gjithë dolëm gjallë dhe pa lëndime – kujton ai.

Vetëm pasi dolën në rrugë, e kuptuan se çfarë kishte ndodhur.

– Vetëm atëherë e kuptuam se bëhej fjalë për një tërmet. Deri në atë moment mendonim vetëm si të dilnim jashtë. Kur dolëm, pamë tmerrin. Gjithçka rreth nesh kishte ndryshuar. Frika erdhi më pas, kur filluam të shihnim se çfarë kishte bërë forca e natyrës. Atëherë e kuptuam se nga çfarë rreziku kishim shpëtuar – thotë Srbllak.

Sipas tij, konvikti “Kuzman Josifovski – Pitu” i rezistoi goditjes falë ndërtimit cilësor dhe zgjidhjes së mirë arkitekturore.

– Ndërtesa qëndroi mirë. Ishte ndërtuar në formën e shkronjës “L”. Pothuajse të gjitha katet mbetën të paprekura, përveç katit të dytë, aty ku ndërtesa thyhej në kënd. Pikërisht aty goditi forca më e madhe – shton ai.

Srbllak flet me mirënjohje të veçantë për reagimin e shpejtë të institucioneve të asaj kohe dhe për njerëzit që menjëherë u vunë në shërbim të qytetit.

– Shpejt morëm urdhra për të punuar në kushte të jashtëzakonshme. Askush nuk pyeste se kush ishe apo nga vije. Të gjithë mendonim vetëm si të ndihmonim. Rreth orës 11 pashë babanë tim duke ardhur me një burrë tjetër të veshur me kostum tradicional popullor. E njoha nga larg. Fjalët e para që më tha në serbisht ishin: “A janë të gjithë gjallë?”. Pastaj më përqafoi. Kur i thashë se nuk do të shkoja me ta në Mitrovicë, më tha: “Je gjallë e shëndoshë, duhet të qëndrosh këtu dhe të ndihmosh”. Dhe kështu mbeta – rrëfen Vinko.

Për disa ditë ai fjeti në livadhin përballë konviktit, ndërsa më pas iu bashkua brigadës rinore “Mirçe Acev”, e cila ishte tërhequr nga ndërtimi i autostradës “Vëllazërim-Bashkim” pranë Beogradit për të ndihmuar në sanimin e pasojave të tërmetit.

– Ishin ditë shumë të vështira. Traumën e mban me vete gjithë jetën. Je i ri dhe ke forcë, por gjëra të tilla nuk harrohen kurrë. As rrënojat, as njerëzit që atëherë i zgjatën dorën njëri-tjetrit – thotë ai.

Një vend të veçantë në kujtimet e tij zë një burrë i panjohur që udhëtoi me babanë e tij drejt Shkupit.

– Babai im ngiste një “Opel Olympia” të vjetër. Rruga deri në Shkup atëherë ishte me zhavorr dhe udhëtimi zgjaste me orë të tëra. Ai gjithmonë merrte udhëtarë pa u kërkuar para. Pranë Vuçitërnit mori një burrë që donte të shkonte në Prishtinë. Kur dëgjoi se çfarë kishte ndodhur në Shkup dhe ku po shkonte babai im, i tha menjëherë: “Ngas sa më shpejt drejt Shkupit, puna ime mund të presë. Vij me ty”. Kështu e ndjeva përqafimin e një shqiptari para konviktit, një njeriu të cilit as emrin nuk ia di. Mbaj mend vetëm veshjen e tij dhe gëzimin në sytë e tij që unë isha gjallë. Ato ishin kohë kur njeriu shihte fillimisht njeriun, e jo kombin apo fenë e tij – rrëfen Srbllak.

Ai thotë se për një kohë të gjatë kishte dashur ta botonte këtë histori në gazetën “Politika”, por nuk ia kishte dalë. Sot dëshiron që dëshmia e tij të mbetet si kujtesë se në momentet më të vështira njerëzit dinë të jenë më pranë njëri-tjetrit.

– Dua të rikthehen ato kohë kur fqinji ishte vërtet fqinj dhe kur njerëzit ndihmonin njëri-tjetrin pa pyetur se nga ishin. Më pas erdhën vite të vështira dhe re të zeza u mblodhën mbi atdheun tonë. Por unë besoj se mund të ketë sërish më shumë paqe, dashuri dhe mirëkuptim mes njerëzve – porosit Srbllak.

Sot, nga kjo distancë kohore, ai shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë njerëzit nga Maqedonia dhe nga mbarë bota që ndihmuan në rindërtimin e Shkupit.

– Nuk duhet ta harrojmë kurrë atë solidaritet të jashtëzakonshëm. Njerëz nga e gjithë bota erdhën për ta ndihmuar Shkupin. Ky është mësimi më i madh i asaj tragjedie – se njeriu duhet të jetë njeri për njeriun – përfundon Vinko Srbllak.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër