VLEN dhe VMRO në një qeverisje me dy qëndrime të kundërta për “20 përqëndëshin” në Kushtetutë!

Nga I.A
1,018 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 korrik, Zhurnal.mk – Që çështja e gjuhës sot në Kushtetutë është e rregulluar me formulimin “gjuha që e flasin 20% e popullsisë”, pra me përqindje, është një fakt i njohur dhe i kontestuar prej vitesh. Se kjo qasje është përjashtuese dhe diskriminuese për popullin shqiptar, e kanë thënë pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë, pavarësisht përkatësisë partiake. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, përfaqësues nga të dy taborët politikë premtonin se ky definicion do të korrigjohej. Madje koalicioni VLEN e ka futur në program si zotim të qartë për heqjen e formulës së “20 përqindëshit”, një korrigjim që prej dekadash figuron në Kushtetutë. Por në paraqitjen e tij të fundit mediatike, kryeministri shfaqi një qëndrim krejt të ndryshëm nga partnerët e tij, shkruan Zhurnal.

Qëndrimi i kryeministrit për “20%”?

Deklarata e kryeministrit ka qenë e drejtpërdrejtë dhe pa hapësirë për keqinterpretime apo nxjerrje nga konteksti, duke mbyllur të gjitha opsionet për ndërhyrje kushtetuese në këtë aspekt.

“Nuk tham asnjëherë gjuha që e flasin 20% e popullsisë, por them gjuha shqipe, gjuha turke dhe tutje. Kjo nuk do të ndryshohet pasi është kategori kushtetuese dhe jo rastësisht është vendosur kështu në këtë mënyrë që të rregullohet e drejta e gjuhës edhe për komunitetet tjera në nivel lokal”, ka deklaruar kryeministri në paraqitjen e tij të fundit mediatike.

Me këtë deklaratë, kryeministri jo vetëm që e konsideron formulimin aktual si të qëndrueshëm, por edhe e legjitimon atë si mekanizëm për mbrojtjen e gjuhëve të komuniteteve të tjera. Kjo qasje bie ndesh me pritjet e partnerëve shqiptarë të koalicionit, të cilët e shohin “20 përqindëshin” si mbetje diskriminuese të periudhës së pas luftës.

Deklarata e kryeministrit e thënë në mënyrë të prerë ka mbyllur praktikisht çdo mundësi për ndryshim të definicionit kushtetues gjatë kësaj qeverisjeje, duke krijuar një kontrast të dukshëm brenda vetë qeverisjes.

Çfarë janë zotuar nga VLEN?

Në anën tjetër, koalicioni VLEN ka një qëndrim diametralisht të kundërt. Ata e kanë futur në program heqjen e formulimit përqindor dhe e kanë prezantuar si zotim politik të patjetërsueshëm. Qëndrimi i tyre është i qartë dhe e kanë thënë disa herë shumë prej tyre që edhe sot akoma janë në funksione të larta qeveritare apo në pushtet lokal.

“Kur të hapet kushtetuta për të bërë ndryshimet e nevojshme për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit, koalicioni VLEN do të bëjë maksimumin për heqjen e definimit të gjuhës shqipe në kushtetutë, si gjuha e 20 përqindëshit”, është qëndrim i VLEN-it i artikuluar dhe thënë disa herë në publik dhe në media.

Ky zotim është një nga pikat kryesore me të cilat VLEN ka kërkuar të diferencohet nga qasjet e mëparshme të partive shqiptare në pushtet, më konkretisht nga BDI. Për ta, heqja e “20%” nuk është vetëm çështje teknike, por simbol i barazisë së munguar dhe i statusit të paplotë të gjuhës shqipe në shtetin multietnik.

Si qëndron puna e “20%” në Kushtetutë?

Formulimi aktual kushtetues –“gjuha që e flasin së paku 20% e popullsisë” është vendosur pas vitit 2001 si kompromis politik për të shmangur zyrtarizimin e drejtpërdrejtë të gjuhës shqipe. Kjo qasje e ka lënë statusin e shqipes të varur nga statistikat demografike, duke e trajtuar si të drejtë të kushtëzuar, jo si të drejtë të garantuar. Për dekada, ky formulim ka prodhuar dilema juridike, interpretime të ndryshme institucionale dhe shpesh ka shërbyer si argument për moszbatim të plotë të ligjit.

Në praktikë, gjuha shqipe sot përdoret gjerësisht në administratë, në komunikim zyrtar dhe në dokumente shtetërore, por definicioni kushtetues mbetet pengesë simbolike dhe juridike. Ai krijon një hierarki të gjuhëve, duke e vendosur shqipen në një kategori të veçantë, të ndryshme nga maqedonishtja, e cila është e vetmja e përmendur nominalisht në Kushtetutë. Për këtë arsye, juristët dhe ekspertët e të drejtave të njeriut prej vitesh kanë kërkuar heqjen e formulimit me përqindje dhe zëvendësimin e tij me emërtim të drejtpërdrejtë të gjuhës shqipe.

Kujtojmë që, qeverisja aktuale e përbërë nga VMRO dhe VLEN, si dhe partneri i tretë ZNAM, po funksionon me dy qëndrime diametralisht të kundërta për një nga çështjet më të ndjeshme të barazisë etnike në vend. Kryeministri e sheh “20 përqindëshin” si kategori kushtetuese të pandryshueshme, ndërsa partnerët shqiptarë e shohin si padrejtësi historike që duhet korrigjuar. Prandaj, ky është realiteti e muajve në vijim mbetet të shihet cili do të jetë kompromisi apo mesi i artë mes dy partnerëve që përbëjnë qeverisjen aktuale. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër