Deputetë bullgarë me ndalim hyrjeje u shfaqën sërish në Koçan

Nga Xh M
910 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sofje/Koçan, 3 gusht Zhurnal.mk – Dy deputetë të partisë bullgare “Vëzrazhdane” (Prerodba), pavarësisht se kanë një ndalim hyrjeje njëvjeçar në Maqedoninë e Veriut, javën e kaluar morën pjesë në një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Koçan, raportoi Telma.

Bëhet fjalë për Krsto Vraçev dhe Angel Georgiev, të cilët në profilet e tyre në Facebook publikuan fotografi nga salla e gjyqit, duke konfirmuar se ishin të pranishëm në seancën për rastin e 23-vjeçares Iva Mihajllova nga Koçani, e cila posedon shtetësi të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë.

Gjatë vizitës, ata kritikuan sistemin gjyqësor maqedonas, duke deklaruar se, sipas tyre, shteti po vepron padrejtësisht ndaj vajzës, e cila vetidentifikohet si bullgare.

Vraçev dhe Georgiev janë në mesin e 27 deputetëve të partisë “Prerodba” të përfshirë në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Manastir (PRK-O-263/25), të miratuar në gusht të vitit të kaluar. Me këtë vendim, atyre u është shqiptuar ndalim hyrjeje në shtet për një periudhë prej një viti, si dhe gjoba kundërvajtëse nga 50 deri në 230 euro.

Sipas vendimit të gjykatës, më 15 qershor 2025 ata e kanë kaluar ilegalisht kufirin shtetëror nga Republika e Greqisë dhe kanë qëndruar në mënyrë të paligjshme për disa ditë në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Pavarësisht ndalimit që është ende në fuqi, të dy kanë arritur sërish të hyjnë në vend dhe të marrin pjesë në seancën gjyqësore në Koçan.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se nuk japin informacione për hyrjen dhe daljen e personave me kërkesë të palëve të treta. Sipas MPB-së, të dhëna të tilla mund të jepen vetëm me kërkesë të një organi kompetent shtetëror, në përputhje me ligjin, ose vetë personit për nevojat e tij personale.

Për çështjet që lidhen me ndalimin e hyrjes, Ministria e drejtoi opinionin publik te Gjykata Themelore në Manastir.

Iva Mihajllova akuzohet për shkaktimin e një aksidenti trafiku me pasojë vdekjen. Ajo dhe mbrojtja e saj e mohojnë fajësinë dhe kërkojnë t’i kthehen dokumentet e udhëtimit, në mënyrë që të mund të shkojë për mjekim në Bullgari.

Rastin po e ndjek nga afër edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë. Avokati i saj konfirmoi se në Gjykatën Themelore në Koçan është dorëzuar një kërkesë e re, e shoqëruar me një mendim mjekësor konsiliar, me të cilën kërkohet sërish kthimi i pasaportave dhe mundësimi i trajtimit në Sofje.

Gjykata pritet të marrë vendim për këtë kërkesë gjatë javës së ardhshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër