Tiranë, 4 gusht, Zhurnal.mk – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vijon procesin e planifikimit strategjik për periudhën 2027–2031, duke zhvilluar punët përgatitore dhe diskutimet institucionale.
Sipas KQZ-së, bazuar në analizën rigoroze të zbatimit të Strategjisë aktuale dhe në mësimet e nxjerra, procesi i hartimit të Strategjisë të KQZ-së 2027-2031 po kalon në një fazë vendimtare.
“Takimet me të gjitha drejtoritë e KQZ janë në zhvillim, ku po identifikojmë sfidat reale, po debatojmë prioritetet në terren dhe po ndërtojmë në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese vizionin që do të drejtojë institucionin në pesë vitet e ardhshme”, njoftoi KQZ.
Ky proces zhvillohet me mbështetjen e projektit “Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri”, i zbatuar nga Këshilli i Evropës dhe i financuar nga Republika Federale e Gjermanisë.
Projekti synon të fuqizojë integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke mbështetur profesionalizimin e mëtejshëm të administratës zgjedhore, duke promovuar edukimin e votuesve (përfshirë votuesit për herë të parë) dhe duke përmirësuar efikasitetin dhe transparencën e procesit të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve Zgjedhore.
Projekti bazohet në rekomandimet e Këshillit të Evropës (përfshirë rekomandimet nga Komisioni i Venecias, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Kongresi dhe GRECO), si dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Gjithashtu, projekti bazohet në standardet, ekspertizën dhe arritjet e Këshillit të Evropës të arritura përmes programeve të asistencës zgjedhore, me synim: Rritjen e profesionalizimit të administratës zgjedhore përmes vendosjes së kuadrit institucional për një qendër trajnimi dhe edukimi të vazhdueshme dhe të përhershme pranë KQZ-së; Përmirësimin e kurrikulave të edukimit qytetar, duke përfshirë programet e informimit të votuesve të rinj dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje; Rritjen e kapaciteteve dhe mjeteve institucionale të KQZ-së për Monitorimin e drejtpërdrejtë dhe transparent të Aktiviteteve Publike dhe Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Zgjedhore.
