Drejtori i NPK Saraj: Hajnat shfrytëzuan fundjavën e zgjatur dhe hynë në zyrën time

Nga Xh M
910 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Saraj, 4 gusht Zhurnal.mk – Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në ambientet e Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) Saraj, ku persona të panjohur kanë hyrë me forcë në zyrën e drejtorit dhe kanë marrë paratë nga qarkullimi ditor i ndërmarrjes, transmeton Zhurnal.mk.

Rastin për media e konfirmoi drejtori i NPK Saraj, Idriz Hoxha, i cili tha se autorët kanë shfrytëzuar fundjavën e zgjatur për të kryer vjedhjen.

“Sot në mëngjes kemi konstatuar se ka ndodhur një vjedhje në zyrën time. Pastruesja, e cila erdhi e para në punë, vërejti se dera e zyrës ishte thyer, ndërsa brenda gjithçka ishte e përmbysur dhe e shpërndarë në dysheme. Komuna është e pajisur me rrjet sigurie dhe kamera, megjithatë autorët kanë arritur të kryejnë këtë vjedhje të rëndë. Për momentin nuk mund të jap më shumë detaje, pasi organet kompetente janë duke punuar intensivisht në zbardhjen e rastit. Presim që sa më shpejt të identifikohet autori”, deklaroi Hoxha.

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme e konfirmoi rastin, duke bërë të ditur se vjedhja është raportuar në Stacionin Policor të Sarajit.

“Sot, më 04.08.2026, në Njësinë Policore Saraj, nga I.H. (41), drejtor i NPK Saraj, është raportuar se në periudhën nga ora 16:30 e datës 31.07.2026 deri në ora 06:40 të datës 04.08.2026, në zyrën e tij, e cila ndodhet në objektin e Komunës së Sarajit, nga një autor i panjohur është hapur me forcë dera hyrëse e zyrës dhe një sirtar i tavolinës së punës, me ç’rast janë vjedhur para nga qarkullimi ditor i NPK Saraj. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, njoftuan nga MPB.

Ndërkohë, nga Prokuroria Publike thanë se janë në pritje të raportit dhe materialeve nga MPB-ja për të ndërmarrë hapat e mëtejshëm procedurialë dhe hetimorë.

Rasti ka ngritur pikëpyetje edhe për sigurinë e objektit komunal, pasi, sipas drejtorit, ndërtesa është e mbuluar me sistem kamerash dhe rrjet sigurie, por kjo nuk i pengoi autorët të hynin në zyrë dhe të kryenin vjedhjen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër