Haxhiu: Nënshkrimet e 40 deputetëve nuk iu protokolluan Avni Deharit

Nga Xh M
596 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 8 gusht Zhurnal.mk – U.D. e presidentes dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi para nisjes së seancës konstituive se partitë ish-opozitare nuk i kishin protokolluar nënshkrimet e nevojshme. Sipas saj, nëse kjo do të ishte bërë, seanca e planifikuar për mbrëmjen e kaluar do të zhvillohej.

Haxhiu tha se njoftimi për pjesëmarrjen në seancë ishte bërë, por 40 nënshkrimet nuk i ishin përcjellë kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari.

“Jam këtu sepse kryesuesi e ka thirrur seancën. Nëse do të ishte thirrur edhe mbrëmë, natyrisht se do të vija. Nuk e kuptoj përse nënshkrimet nuk janë protokolluar. Janë 40 nënshkrime që nuk i janë drejtuar Avni Deharit, ndaj nuk e kuptoj pse nuk janë dërguar. Nëse kanë pasur qëllim ta mbajnë seancën, procedura ishte shumë e thjeshtë. Njoftimi se do të shkonim në seancë është bërë, por ai nuk mjafton; nënshkrimet duhet të protokollohen. Nuk po e kuptoj pse kjo nuk ka ndodhur. Deputetët kanë ardhur këtu dhe kanë dalë në konferenca, ndërsa pretendimi se dyert janë mbyllur për ta mund të sqarohej shumë lehtë”, deklaroi Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës e ka caktuar vazhdimin e seancës konstituive për të shtunën, sot, në orën 11:00. Kjo ndodhi pasi partitë ish-opozitare kërkuan që seanca të mbahej dje pasdite, duke argumentuar se në mesnatë skadonte afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18, ndërsa Aleanca 7.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër