Shkup, 10 gusht Zhurnal.mk – Tre deputetë nuk kanë marrë asnjëherë fjalën në Kuvend gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar, nuk kanë parashtruar pyetje deputetësh, nuk kanë propozuar ligje apo amendamente dhe nuk kanë qenë anëtarë të asnjë komisioni parlamentar.
Këtë e tregon platforma „пратеници.мк“, e publikuar sot nga Instituti për Demokraci „Societas Civilis“ – Shkup.
Sipas të dhënave, bëhet fjalë për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, dhe deputeten e VMRO-DPMNE-së, Valentina Marçevska.
Ndërsa Ahmeti dhe Thaçi prej vitesh renditen ndër deputetët me pjesëmarrjen më të ulët në punën parlamentare, rasti i Marçevskës është ndryshe. Ajo është ndër deputetet më të rregullta për pjesëmarrje, pasi ka qenë e pranishme në të 56 seancat e zhvilluara gjatë kësaj periudhe.
Në anën tjetër, Ali Ahmeti ka marrë pjesë vetëm në 3 seanca, ndërsa Menduh Thaçi në 4 seanca.
Listën e deputetëve me pjesëmarrjen më të ulët e plotësojnë Sadulla Duraki, i cili ka qenë i pranishëm në 15 seanca, si dhe Skender Rexhepi nga Lëvizja Populli dhe Valbona Adili-Emini nga Besa, të cilët kanë marrë pjesë në nga 16 prej gjithsej 56 seancave.
45 deputetë nuk kanë marrë fjalën
Platforma tregon gjithashtu se 45 nga gjithsej 120 deputetë nuk kanë marrë fare fjalën për të diskutuar për ndonjë çështje në Kuvend.
Përveç kësaj, dy të tretat e deputetëve nuk kanë parashtruar asnjë pyetje deputetësh, ndërsa 36 deputetë nuk kanë marrë pjesë në propozimin e amendamenteve.
Gjithashtu, 13 deputetë nuk kanë nënshkruar asnjë propozim-ligj gjatë periudhës së analizuar.
Kuvendi edhe më herët ka publikuar raporte për aktivitetin e deputetëve, por me platformën e re kërkimi është më i lehtë dhe qytetarët mund të shohin më saktë se çfarë ka bërë secili deputet.
Megjithatë, në Institutin për Demokraci theksojnë se ekziston një problem edhe më i gjerë: qytetarët në zgjedhje votojnë për lista partiake dhe jo drejtpërdrejt për kandidatë individualë, ndaj nuk kanë një mekanizëm të drejtpërdrejtë për të kërkuar përgjegjësi nga një deputet konkret.
„Aktualisht, në mënyrën se si është pozicionuar sistemi i zgjedhjes së deputetëve në Kuvendin tonë, qytetarët nuk kanë mundësi të zgjedhin emra individualë, por votojnë për lista të përcaktuara paraprakisht nga partitë politike. Kjo mund të jetë një mekanizëm i mirë edhe për vetë partitë politike, për të parë se si paraqiten njerëzit që ato kanë vendosur në listat zgjedhore dhe sa e realizojnë rolin e tyre përfaqësues në Kuvend“, deklaroi Aleksandra Jovevska-Gjorgjeviq nga Instituti për Demokraci.
Kush ishin deputetët më aktivë?
Në anën tjetër, të dhënat e platformës tregojnë edhe se cilët deputetë kanë qenë më aktivët gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar.
Në mesin e tyre janë:
- Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE;
- Sali Murati – Lëvizja e Turqve;
- Jovanka Trençevska – LSDM;
- Toni Jarevski – VMRO-DPMNE;
- Daniela Nikolova – LSDM.
Të dhënat e reja synojnë të rrisin transparencën dhe llogaridhënien për punën e deputetëve dhe t’u mundësojnë qytetarëve një pasqyrë më të qartë mbi aktivitetin e tyre në Kuvend.
