VMRO-DPMNE: Vazhdon rritja e pagave për administratën, arsimin, shëndetësinë dhe sektorin e sigurisë

Nga R.ZH
1,824 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 gusht, Zhurnal.mk – Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE vazhdon të avancojë dialogun social dhe të krijojë kushte për paga më të larta përmes zgjidhjeve institucionale dhe marrëveshjeve kolektive, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Jarevski, përcjell Zhurnal.mk.

Sipas tij, për herë të parë është arritur marrëveshje me sindikatat “UPOZ” dhe “SADO” për rritjen e pagave të nëpunësve administrativë, ndërsa marrëveshjes i janë bashkuar edhe organizata të tjera sindikale.

“Për herë të parë pas një periudhe të gjatë sigurohet përmirësim sistematik i statusit të të punësuarve në administratë”, theksoi Jarevski.

Ai nënvizoi se, që nga marrja e përgjegjësisë për drejtimin e Qeverisë nga VMRO-DPMNE, pagat e punonjësve në arsim dhe të gjithë të punësuarve në sektorin arsimor janë rritur për 20 për qind.

Sipas marrëveshjes kolektive, të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm do të përfitojnë paga nga 46 deri në 60 për qind më të larta brenda një mandati qeverisës. Ndërkohë, pagat e profesorëve universitarë janë rritur për 14 për qind.

Jarevski theksoi se me nënshkrimin e aneksit të marrëveshjes kolektive janë rritur ndjeshëm edhe pagat në sektorin e shëndetësisë. Sipas tij, punonjësit shëndetësorë kanë përfituar rritje prej 4.815 denarësh neto, ndërsa për infermierët rritja arrin deri në 6.200 denarë. Ai shtoi se deri në fund të mandatit qeveritar, rritja e pagave në këtë sektor pritet të arrijë deri në 50 për qind.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së theksoi se pas shumë vitesh, përmes bashkëpunimit dhe dialogut me organizatat sindikale, marrëveshje kolektive kanë marrë edhe të punësuarit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, me ç’rast parashihen kompensime më të larta dhe përmirësim i kushteve të tyre.

Ai shtoi se është zgjidhur edhe statusi i të punësuarve me kontrata në vepër, të cilët tashmë kanë status të rregullt pune.

Sipas Jarevskit, paga më të larta kanë marrë edhe të punësuarit në strukturat e sigurisë, ndërsa procesi i rritjes së tyre do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.

“Me Qeverinë e VMRO-DPMNE-së askush nuk është i harruar. Të gjithë punëtorët e marrin vëmendjen, kujdesin dhe kompensimin e merituar për punën e tyre”, deklaroi Jarevski, duke shtuar se qeveria do të vazhdojë të punojë për rritjen e pagave, vende të sigurta pune dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër