Nxënësit shqiptarë të Idrizovës pa mësim në shqip nga klasa e gjashtë

Nga Xh M
1,468 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 gusht Zhurnal.mk – Në shkollën fillore “Njegosh” në Idrizovë të Komunës Gazi Babë, nxënësit shqiptarë edhe këtë vit mund të mësojnë në gjuhën shqipe deri në klasën e pestë. Nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, ata duhet të vazhdojnë arsimin në shkolla të komunave të tjera. Pavarësisht që problemi është i kahmotshëm, edhe këtë vit nuk parashihet një zgjidhje konkrete. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha për Alsat se është mirë që fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Mirëpo, për këtë rast ministrja Janevska nuk tha që dikasteri që ajo drejton nuk ka marrë ndonjë vendim për hapjen e paraleleve në shqip në Idrizovë.

“Në këtë moment nuk mund t’ju them saktësisht nëse dhe sa kërkesa eventualisht kemi, por dua të them se në këtë moment, ndoshta, nuk mund të pohoj me siguri, bëhet fjalë për punësime të reja. Dhe duke qenë se kemi të paktën 2.500 mësues që nuk kanë fond të plotë të orëve mësimore, ndërsa ne u paguajmë pagat, çdo punësim i ri përbën problem”,tha Vesna Janevska.

Ministrja Janevska çështjen e mësimit shqip në Idrizovë e lidh edhe me mungesën e nxënësve dhe me numrin e madh të mësuesve që aktualisht nuk kanë fond të plotë të orëve. Sipas saj, nëse në Idrizovë vërtetohet se nevojiten paralele në gjuhën shqipe, atëherë do të shqyrtohet edhe mundësia e angazhimit të mësuesve që tashmë janë në sistem. Janevska thotë se aktualisht nuk mund të konfirmojë nëse kërkesa për mësim në shqip do të nënkuptonte punësime të reja. Ajo thekson se Ministria nuk lejon punësime të reja përveç rasteve kur ato janë të domosdoshme.

“Optimizimin më intensiv e fillojmë këtë vit. Vitin e kaluar ishte shumë minimal, këtë vit gjithashtu minimal, duke pasur parasysh stafin dhe duke u kujdesur që racionalizimin ta bëjmë vetëm përmes pensionimeve. Mendoj se kemi filluar t’i afrohemi një gjendjeje normale, ose një numri normal të mësuesve që duhet të jenë të punësuar.Është e saktë se nuk lejojmë punësime, përveç rasteve kur ato janë të domosdoshme. Nëse konstatohet se edhe këtu është e domosdoshme, Ministria do të veprojë në përputhje me ligjin”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Ndërkohë, nga Komuna e Gazi Babës nuk japin një përgjigje konkrete nëse nga shtatori nxënësit shqiptarë të klasave të gjashta deri në të nëntat do të mund të mësojnë në shqip në Idrizovë. Nga komuna thonë se aktualisht po punohet për gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm për ndërtimin e një shkolle të re fillore në Idrizovë.

“Bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm për banorët e Idrizovës nga të gjitha komunitetet etnike, veçanërisht për fëmijët dhe familjet e tyre. Prandaj, qëllimi ynë është që të gjitha procedurat e nevojshme të zhvillohen në mënyrë të plotë dhe në përputhje me procedurat ligjore”, theksojnë nga Komuna Gazi Babë.

Nga Komuna e Gazi Babës thanë se mbeten të përkushtuar për realizimin e këtij projekti dhe, pas përfundimit të procedurave përgatitore dhe administrative, do të mund të kalohet në fazat e ardhshme për ndërtimin e shkollës së re.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër