Bogota, 17 gusht, Zhurnal.mk – Për shkak të dëmeve të mëdha të shkaktuara nga tërmeti i fundit në vend, presidenti i Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump të pezullojë përkohësisht tarifat doganore ndaj produkteve kolumbiane.
Kreu i ri i shtetit kolumbian e bëri të ditur kërkesën përmes një postimi në rrjetin social X.
Deri tani, nga presideti Trump nuk ka pasur një reagim publik lidhur me kërkesën.
De la Espriella tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike 10-minutëshe me homologun e tij amerikan, i cili e kishte mbështetur gjatë fushatës zgjedhore.
Gjatë bisedës, presidenti kolumbian i kërkoi Trumpit të shqyrtojë “pezullimin e përkohshëm të tarifave të larta që prekin produktet kolumbiane”.
Sipas tij, një masë e tillë do të lehtësonte situatën për bizneset kolumbiane, të cilat po përballen me “kohë shumë të vështira” pas tërmetit.
Vetëm në korrik, SHBA-ja rriti tarifat për mallrat kolumbiane, me disa përjashtime, nga 10 për qind në 12.5 për qind.
Tërmeti që goditi Kolumbinë të hënën ishte ndër më të fuqishmit në vend në dekadat e fundit dhe shkaktoi afro 300 viktima, si dhe dëme të mëdha materiale.
Administrata e presidentit Trump ka njoftuar gjithashtu një paketë ndihme prej 26,5 milionë dollarësh për Kolumbinë.
SHBA-ja po ofron ekipe kërkim-shpëtimi, ushqime, strehim emergjent dhe furnizime mjekësore.
De la Espriella e falënderoi Trumpin për “solidaritetin dhe mbështetjen” e Uashingtonit.
Pak ditë më parë, Kolumbia iu bashkua aleancës amerikane kundër trafikut të drogës, “The Shield of the Americas”.
Sipas sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, Kolumbia dhe SHBA-ja kanë rënë gjithashtu dakord të zhvillojnë operacione të përbashkëta ushtarake kundër karteleve të drogës.
