Pekin, 17 gusht, Zhurnal.mk – Ekonomia e Kinës shfaqi shenja të reja ngadalësimi në korrik, me prodhimin industrial, shitjet me pakicë dhe investimet që rezultuan nën pritshmëritë e analistëve.
Prodhimi industrial u rrit me 4,5 për qind në korrik krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar një ngadalësim nga rritja prej 5,3 për qind në qershor, njoftoi sot n Zyra Kombëtare e Statistikave në Pekin.
Shitjet me pakicë u rritën vetëm me 0,6 për qind, ndërsa investimet në asetet fikse për periudhën janar-korrik ranë me 6,7 për qind.
Të tre treguesit ishin më të dobët se parashikimet e analistëve.
Kriza e sektorit të pasurive të paluajtshme vazhdon të rëndojë mbi ekonominë kineze. Investimet në këtë sektor ranë me 19,2 për qind gjatë shtatë muajve të parë të vitit.
Edhe kërkesa e dobët e brendshme mbetet një problem për ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Eksportet e fuqishme vazhdojnë të jenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kineze.
Megjithatë, suficiti i madh tregtar po shkakton tensione me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Në tremujorin e dytë, ekonomia kineze u rrit me 4,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për të gjithë vitin, Pekini synon një rritje ekonomike mes 4,.5 dhe 5 për qind.
Të dhënat e fundit pritet të shtojnë presionin ndaj qeverisë kineze për të ndërmarrë masa të reja stimuluese për ekonominë, veçanërisht për të nxitur konsumin dhe investimet e brendshme.
