Kishinjev, 17 gusht Zhurnal.mk – Një objekt i paidentifikuar ka hyrë në hapësirën ajrore të Republikës së Moldavisë mbrëmjen e 17 gushtit, ndërsa pak më vonë autoritetet raportuan një shpërthim në një zonë pranë fshatit Talmaza, në rrethin Ștefan Vodă.
Sipas mediave moldave, të cituara nga European Pravda, objekti u zbulua nga sistemet e Forcave të Armatosura të Moldavisë teksa lëvizte në drejtim të Cuciurgan-Tiraspol.
Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë bëri të ditur se objekti u evidentua në orën 17:37, pas së cilës autoritetet urdhëruan mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore në sektorin Centru për rreth 15 minuta.
Objekti më pas u zhduk nga sistemet e vëzhgimit pranë fshatit Talmaza. Në të njëjtën zonë u dëgjua një shpërthim, ndërsa policia raportoi se pas incidentit një pjesë e vegjetacionit mori flakë.
Forcat e rendit rrethuan menjëherë zonën, ndërsa ekipet e specializuara u angazhuan për shuarjen e zjarrit dhe nisën hetimet për të përcaktuar se çfarë kishte ndodhur.
