Misajllovski: Modernizimi i Ushtrisë po ecën sipas planit, po mbërrijnë edhe helikopterët e rinj

Nga D. V.
891 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Maqedonia është shtet i sigurt dhe i qëndrueshëm, ndërsa Ushtria përfaqëson shtyllë të stabilitetit dhe institucion mbi të cilin qytetarët dhe partnerët mund të mbështeten, theksoi ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski.

Ai nënvizoi se modernizimi i kapaciteteve ushtarake po realizohet në përputhje me dinamikën e planifikuar, përmes blerjes së armatimit modern, investimeve infrastrukturore dhe përmirësimit të kushteve të punës.

„Është më se e qartë se lufta konvencionale ka ndryshuar dhe për të qenë të përgatitur për përgjigje, nevojitet përshtatje në konceptin e mbrojtjes“, tha Misajllovski.

Sipas tij, janë në proces blerjet e sistemeve artilerike dhe kundërajrore, dronëve, pajisjeve për mbrojtje kibernetike dhe sistemeve të komunikimit.
„Procesi i modernizimit të Ushtrisë po realizohet sipas planeve tona. Ka mbërritur shumë pajisje“, shtoi ministri, duke paralajmëruar se këtë vit pritet edhe ardhja e dy helikopterëve të rinj.

Për projektet infrastrukturore në periudhën e ardhshme janë parashikuar mbi 12 milionë euro, ndërsa deri tani janë investuar më shumë se 3,1 milionë euro. Gjithashtu është paralajmëruar rikthimi në funksion i Qendrës për Trajnimin e pilotëve dhe formimi i një katedre të re për aviacion ushtarak në Akademinë Ushtarake.

„Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë me ritëm edhe më të fuqishëm ta zhvillojmë Ushtrinë me më shumë blerje të çdo lloj pajisjeje, me investime të forta në infrastrukturën e Ushtrisë, me më shumë stërvitje dhe më shumë trajnime“, tha Misajllovski.

Duke folur për financimin, ai theksoi se buxheti i mbrojtjes këtë vit arrin mbi katër për qind të BPV-së.
„Në këtë mënyrë e forcojmë sigurinë tonë, sigurinë e rajonit dhe të krahut lindor të NATO-s. Në të njëjtën kohë tregojmë se jemi aleat i besueshëm dhe kredibil brenda aleancës“, tha ai.

Misajllovski theksoi edhe pjesëmarrjen e ushtarëve në misionet ndërkombëtare në Letoni, Bullgari, Rumani dhe Kosovë, duke paralajmëruar përmirësimin e statusit të tyre të punës përmes një marrëveshjeje të re kolektive.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër