Shkup, 19 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot realizoi një takim pune me përfaqësuesen e UNICEF‑it, Lesli Miller, në të cilin u shqyrtuan çështje kyçe që lidhen me përmirësimin e sistemit të drejtësisë për fëmijët.
Në takim u theksua se interesi më i mirë i fëmijës mbetet prioritet kryesor, në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës.
Vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët dhe nevojës për forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të të gjithë subjekteve në sistemin e drejtësisë për fëmijët.
Ligji i ri thekson nevojën për specializimin e profesionistëve që punojnë me fëmijë, prandaj është me rëndësi të veçantë vazhdimi i trajnimeve për profesionistët e drejtësisë për trajtimin dhe mbrojtjen e duhur të fëmijëve – viktima ose dëshmitarë të dhunës dhe krimit, si dhe për zbatimin e qasjeve të drejtësisë riparuese. Aktet nënligjore janë një hap tjetër i rëndësishëm në zbatimin praktik të Ligjit, sepse sigurojnë procedura të qarta, standarde dhe mjete për zbatimin konsekuent të parimeve të tij.
Çdo fëmijë ka nevojë për një sistem gjyqësor që i njeh nevojat e tij, i mbron të drejtat e tij dhe i mundëson qasje reale dhe të barabartë në drejtësi.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për përmirësimin e sistemit të drejtësisë për fëmijët dhe krijimin e kushteve institucionale në të cilat të drejtat e çdo fëmije do të respektohen dhe mbrohen plotësisht.
