Shkup, 19 gusht Zhurnal.mk – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informon publikun se gjatë periudhës së fundit është vërejtur një rritje e sulmeve phishing, të cilat realizohen përmes mesazheve të rreme SMS, e-maileve, faqeve të internetit, aplikacioneve mobile dhe mesazheve në rrjetet sociale.
Siç shpjegojnë nga MPB-ja, mesazhet e rreme pretendohet se dërgohen nga Departamenti për Automjete si njoftime nga sistemi “Qytet i Sigurt”, ku përfshihet një lidhje e rreme përmes së cilës qytetarët ridrejtohen për të kryer pagesë për një kundërvajtje të pretenduar në trafik.
MPB-ja apelon te qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të internetit, të mos hapin lidhje dhe mesazhe të dyshimta dhe të mos ndajnë kurrë të dhëna personale, si numrat e kartelave bankare, fjalëkalimet apo identifikuesit personalë përmes kanaleve të paautorizuara.
Qytetarët këshillohen gjithashtu të kontrollojnë adresën e dërguesit, pasi institucionet dhe kompanitë zyrtare përdorin domene zyrtare, si dhe të përdorin autentifikimin me dy faktorë (2FA) për mbrojtje shtesë të llogarive të tyre. Mesazhet e dyshimta duhet të raportohen te institucionet kompetente ose te banka përkatëse.
Nga MPB-ja sqarojnë se njoftimet SMS për kundërvajtje të kryera duhet të jenë nga dërguesi “MVR-SC”. Mesazhi duhet patjetër të përmbajë targën e automjetit që ka kryer kundërvajtjen, si dhe një lidhje në formatin “https://safecountry.mvr.gov.mk…”.
Sektori për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme vijon hetimet aktive dhe ndërmerr masa për zbulimin dhe sanksionimin e autorëve të këtyre mashtrimeve.
