Filipçe: LSDM kërkon pagë minimale prej 600 eurosh, ligjin e rikthejmë sërish në Kuvend

Nga D. V.
511 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 gusht, Zhurnal.mk – SDSM do të dorëzojë sërish në Kuvend projektligjin me të cilin kërkon që paga minimale të rritet në 600 euro, njoftoi sot në konferencë për shtyp kryetari i partisë, Venko Filipçe.

Filipçe tha se propozimi do të dorëzohet në fillim të shtatorit, pas rifillimit të punës së Kuvendit, duke vlerësuar se niveli aktual i pagës minimale nuk është i mjaftueshëm për mbulimin e shpenzimeve bazë të jetesës.

„Qytetarët nuk mund të mashtrohen. Shifrat që i thotë kryeministri, dukshëm nga një botë në të cilën jeton vetëm ai dhe grupi i tij i vogël, qytetarët nuk i ndjejnë. Ata shohin portofolat bosh dhe frigoriferët bosh“, tha Filipçe.

Sipas tij, nëse treguesit ekonomikë janë aq pozitivë siç pretendon Qeveria, atëherë rritja e pagës minimale në 600 euro duhet të jetë një nga masat e para.

„Jo 26.000 denarë siç është tani, por aq sa u nevojitet njerëzve për të mbuluar nevojat bazë, shpenzimet bazë, veçanërisht kur fillon viti shkollor dhe kur shpenzimet e jetesës rriten shumë“, tha kryetari i SDSM.

Filipçe paralajmëroi edhe kërkesë për rritje të pagave në disa sektorë, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim. Ai u referua te masat që, siç tha, ishin realizuar gjatë qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga SDSM, kur pagat bazë të specialistëve dhe mjekëve ishin rritur për 40 për qind, si dhe pagat e të punësuarve në arsim.

Kreu i SDSM vlerësoi se rritja e pagave është e domosdoshme për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe shtoi se me këtë partia jep përgjigjen e saj ndaj politikave ekonomike të Qeverisë aktuale.

„Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski tashmë ka filluar vitin e tretë të punës së saj dhe në asnjë fushë ne nuk shohim rezultate. Nuk shohim rezultate në fushën e ekonomisë, në shëndetësi, në arsim, në bujqësi“, tha Filipçe.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër