MPB paralajmëron: Ulni menjëherë dronët nëse shihni ose dëgjoni helikopter policie

Nga D V
652 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 gusht, Zhurnal.mk – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut u bën thirrje qytetarëve dhe veçanërisht pronarëve dhe operatorëve të dronëve që të respektojnë me përpikëri rregullat për përdorimin e sigurt të hapësirës ajrore.

MPB-ja thekson se, për shkak të rritjes së aktiviteteve fluturuese të Departamentit të Njësive Ajrore dhe angazhimit intensiv të helikopterëve policorë në shuarjen e zjarreve, vëzhgime, transport dhe detyra të tjera operative në të gjithë vendin, ekziston nevoja për kujdes të shtuar.

Për shkak të natyrës urgjente të këtyre detyrave, vendi, koha dhe itinerari i helikopterëve policorë nuk mund të parashikohen gjithmonë paraprakisht, veçanërisht gjatë ndërhyrjeve për zjarre dhe rasteve të tjera emergjente.

MPB paralajmëron se personat që nuk i plotësojnë kushtet ligjore për përdorimin e dronëve dhe nuk kanë lejet, regjistrimet apo certifikatat përkatëse, kur ato janë të detyrueshme, nuk duhet të kryejnë fluturime në kundërshtim me rregulloret në fuqi.

Operatorët që i plotësojnë kushtet ligjore duhet t’i kryejnë fluturimet vetëm në përputhje me rregullat e aviacionit, kufizimet e hapësirës ajrore dhe kushtet e përcaktuara nga autoritetet kompetente.

Nëse një operator droni vëren ose dëgjon një helikopter policie në afërsi, ai duhet ta ulë menjëherë dhe në mënyrë të sigurt dronin.

MPB-ja thekson se në asnjë rast nuk lejohet që droni të drejtohet në drejtim të helikopterit, t’i afrohet atij, ta ndjekë gjatë fluturimit apo ta filmojë nga afër.

Prania e një droni në zonën ku operon një helikopter përbën rrezik serioz për sigurinë e fluturimit. Një përplasje mes dronit dhe helikopterit mund të shkaktojë dëmtime të rënda, humbje të kontrollit të mjetit fluturues dhe të rrezikojë drejtpërdrejt jetën e ekuipazhit, si dhe njerëzit dhe pronën në tokë.

Rreziku është edhe më i madh gjatë shuarjes së zjarreve, kur helikopterët fluturojnë në lartësi të ulëta dhe përballen me tym, dukshmëri të reduktuar, turbulenca dhe ngarkesë të lartë pune për ekuipazhin.

MPB-ja paralajmëron gjithashtu se prania e një droni në zonën operative mund të shkaktojë ndërprerjen ose shtyrjen e operacioneve ajrore, duke ulur efikasitetin e ndërhyrjes dhe duke rrezikuar më tej banorët, zjarrfikësit, pronën dhe burimet natyrore.

Ministria njofton se do të ndërmarrë masa për identifikimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë së personave që, përmes përdorimit të paligjshëm ose të pasigurt të dronëve, rrezikojnë sigurinë e trafikut ajror dhe të mjeteve fluturuese policore.

Për shkeljen e detyrimeve ligjore dhe veprimet që krijojnë rrezik për një mjet fluturues, ekuipazh apo persona të tjerë, do të ndërmerren masa kundërvajtëse dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, edhe masa penale.
MPB-ja u bën apel të gjithë qytetarëve dhe operatorëve të dronëve që të tregojnë përgjegjësi dhe disiplinë maksimale.
Siguria e ekuipazheve që çdo ditë angazhohen për mbrojtjen e qytetarëve dhe përballimin e zjarreve është përgjegjësi e përbashkët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër