Administrata e filloi fazën operative për themelimin e Akademisë për trajnim dhe zhvillim profesional të nëpunësve publikë

Nga D V
727 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 gusht, Zhurnal.mk – Akademia nuk është vetëm një risi institucionale. Ajo është investim në cilësinë, integritetin dhe efikasitetin e administratës publike, e me këtë edhe në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve, me këto fjalë ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, hapi sesionin e parë të punës me ekipin që do të jetë pjesë e Akademisë për trajnim dhe zhvillim profesional të nëpunësve publikë, e cila pritet të fillojë punën në fillim të vitit 2027.

Në periudhën e kaluar u vendosën bazat për formimin e Akademisë, u krye analiza e gjendjes ekzistuese dhe e nevojave, ndërsa në periudhën e ardhshme pason definimi i modelit organizativ, funksioneve kyçe dhe vendosjes operative të njësisë së re organizative në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike.

Në kuadër të sesionit dyditor të punës, ekipi do të punojë në përgatitjen e dokumenteve kyçe për themelimin e Akademisë, si dhe në shndërrimin e kornizës strategjike dhe udhërrëfyesit katërfazësh të reformës në plan veprimi konkret, realist dhe të përcaktuar në kohë. Këto dokumente do të vendosin bazën për fillimin e fazës operative dhe funksionimin e Akademisë në përbërje të Ministrisë së Administratës Publike.

„Puna gjatë këtyre dy ditëve kërkon nga secili prej nesh konkretësi dhe përkushtim. Nuk kërkojmë edhe një dokument në letër, kërkojmë plan veprimi të qartë, realist dhe të zbatueshëm, me përgjegjësi të shpërndara saktë, rreziqe të identifikuara dhe kornizë kohore mbi të cilën mund të mbështetemi. Kjo është ajo që do ta shënojë fillimin e vërtetë të fazës operative të Akademisë“, theksoi ministri Minçev.

Sesioni i punës realizohet në bashkëpunim me Shkollën Rajonale për Administratë Publike – ReSPA. Përmes mbështetjes mentorike, ekspertizës rajonale dhe përvojave e praktikave të ndara nga vendet e rajonit, Ministria e Administratës Publike merr mbështetje të rëndësishme në procesin e ndërtimit të një modeli institucional të qëndrueshëm dhe funksional të Akademisë.

„Themelimi i Akademisë paraqet një hap të rëndësishëm në krijimin e një administrate publike moderne, profesionale dhe efikase, në të cilën mësimi i vazhdueshëm, zhvillimi i kompetencave dhe përmirësimi profesional do të jenë pjesë përbërëse e zhvillimit profesional të nëpunësve publikë“, thonë nga Ministria e Administratës Publike dhe shtojnë se vazhdojnë të punojnë me përkushtim në reformat që nënkuptojnë administratë më cilësore, shërbime më të mira për qytetarët dhe krijimin e kushteve në të cilat nëpunësit publikë do të kenë mundësi të zhvillojnë vazhdimisht njohuritë dhe kompetencat e tyre profesionale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër