KSHPK paralajmëron për rreziqe korruptive në Ligjin për financimin e partive politike

Nga Xh M
732 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 gusht Zhurnal.mk – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka konstatuar rreziqe korruptive dhe rregullatore në disa dispozita të Ligjit për financimin e partive politike dhe ka propozuar saktësimin e tyre. Pjesa më e madhe e vërejtjeve lidhet me shpërndarjen e mjeteve buxhetore, anëtarësimet, donacionet dhe mënyrën se si partitë publikojnë të dhënat për financimin e tyre.

Kontrolli i ligjit është bërë me iniciativë të vetë KSHPK-së, në kuadër të planit antikorrupsion për kontrollin e legjislacionit për vitin 2026. Kryetari i Komisionit, Adem Çuçul, ka theksuar se pas analizës janë identifikuar disa dispozita që kanë nevojë për rregullim shtesë, me qëllim uljen e rreziqeve nga korrupsioni.

Një nga vërejtjet kryesore ka të bëjë me nenin 10, i cili rregullon mënyrën e shpërndarjes së mjeteve që partitë politike i marrin nga buxheti shtetëror. Nga KSHPK konsiderojnë se duhet të rishikohet nëse modeli aktual është proporcional, i drejtë dhe nëse u siguron pjesëmarrësve mundësi të barabarta dhe të ndershme.

Komisioni thekson se bëhet fjalë për mjete publike, shuma e të cilave vazhdimisht rritet, ndaj duhet të vlerësohet nëse formula ekzistuese ligjore është e përshtatshme dhe në përputhje me qëllimin për të cilin është vendosur.

Vërejtje ka edhe për nenin 14, i cili lidhet me anëtarësimin që paguajnë anëtarët e partive politike. Sipas KSHPK-së, në këtë dispozitë mungon një mekanizëm parandalues, ndërsa në rast të tejkalimit të shumës së lejuar të anëtarësimit, dispozitat kundërvajtëse nuk parashikojnë sanksione përkatëse.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe donacioneve partiake. KSHPK rekomandon që neni 16, i cili rregullon shumën totale të donacioneve individuale nga personat fizikë dhe juridikë, të plotësohet me të gjitha rregullat e nevojshme dhe të eliminohet boshllëku ligjor. Komisioni kërkon që kjo dispozitë të harmonizohet edhe me Kodin Zgjedhor.

Problem është konstatuar edhe te transparenca e regjistrave të donacioneve. Në nenin 17 nuk është përcaktuar mjaftueshëm qartë mënyra se si, përveç publikimit në ueb-faqe, partitë politike duhet t’i bëjnë regjistrat të qasshëm për publikun. Sipas KSHPK-së, kjo paqartësi lë hapësirë për interpretime të ndryshme të dispozitës dhe mund të rrisë rrezikun e zbatimit jo të njëtrajtshëm në praktikë.

Kjo mund të paraqesë problem veçanërisht për subjektet politike që nuk kanë ueb-faqe të tyre, për çka Komisioni kërkon që mënyra e publikimit të të dhënave të përcaktohet më saktë.

KSHPK propozon ndryshime edhe në nenin 26, paragrafi 7 të ligjit. Sipas rekomandimit, partitë politike duhet të kenë detyrim të qartë që llogarinë vjetore për punën e tyre financiare ta dorëzojnë edhe në KSHPK. Me këtë, dispozita do të harmonizohej me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave.

Raporti me rekomandimet pritet t’u dorëzohet institucioneve kompetente për veprime të mëtejshme dhe ndryshime eventuale të legjislacionit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër