Shkup, 2 shtator Zhurnal.mk – Gjendja e sigurisë në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2027 pritet të jetë paqësore dhe stabile, ndërsa niveli i kërcënimit ndaj sigurisë kombëtare do të mbetet i ulët. Ky është vlerësimi kryesor në analizën e sigurisë për vitin e ardhshëm, të përgatitur nga Agjencia Kombëtare për Siguri (AKS), në të cilën janë evidentuar edhe rreziqet potenciale që mund të shfaqen gjatë periudhës së ardhshme.
– Kërcënimet kibernetike do të jenë ndër rreziqet më të shpeshta dhe më dinamike të sigurisë, së bashku me mashtrimet online, fushatat manipuluese informative dhe aktivitetet e grupeve të krimit të organizuar. Pasojat më të mëdha mund t’i shkaktojnë sulmet sistemike kibernetike të drejtuara ndaj sistemeve kritike informative dhe infrastrukturës, veçanërisht nëse shkaktojnë ndërprerje të shërbimeve bazë, komprometim të informacioneve të ndjeshme shtetërore ose pengim të funksionimit të institucioneve – thuhet në vlerësimin e AKS-së.
Sipas analizës, institucionet shtetërore kanë mekanizma për zbulimin në kohë dhe të koordinuar të këtyre rreziqeve, përmes shkëmbimit të rregullt të informacioneve dhe kapaciteteve të përshtatshme njerëzore, teknike dhe organizative.
Theksohet se sulmet kibernetike mund të kombinohen edhe me forma të tjera të veprimit të sigurisë dhe luftës hibride.
– Qëllimi i aktiviteteve të tilla nuk është vetëm dëmtimi i sistemeve informative, por edhe krijimi i frikës, panikut, mosbesimit dhe presionit politik apo shoqëror. Probabiliteti për një ndërprerje afatshkurtër ose të kufizuar të ndonjë shërbimi kritik vlerësohet si mesatar, ndërsa pasojat e mundshme gjithashtu vlerësohen si mesatare. Më pak i mundshëm është ndërprerja afatgjatë ose e njëkohshme e disa sistemeve – thuhet në analizë.
Megjithatë, nëse një skenar i tillë ndodh, pasojat mund të ndikojnë seriozisht në jetën e përditshme, ekonominë dhe funksionimin e institucioneve. Si shkaqe të mundshme të ndërprerjeve më të gjata në shërbimet kritike përmenden incidentet kibernetike dhe sabotazhi.
Grupet kriminale po rekrutojnë të rinj
Ndërkohë, probabiliteti për shfaqjen e rrezikut nga veprimtaria e grupeve të krimit të organizuar vlerësohet si “i lartë”, ndërsa niveli i ndikimit të krimit të organizuar mbi proceset shoqërore dhe stabilitetin financiar vlerësohet si “mesatar”.
Sipas AKS-së, grupet kriminale nuk funksionojnë të izoluara, por janë të lidhura në rrjete kriminale që u mundësojnë një shkallë të lartë të veprimit ndërkombëtar, si dhe fleksibilitet në zhvendosjen dhe fshehjen e anëtarëve, aktiviteteve kriminale dhe fitimeve të paligjshme.
– Vlerësohet se grupet kriminale, në aktivitetet e tyre konvencionale, do të vazhdojnë të përdorin dhunë fizike dhe psikologjike, ndikim korruptiv, por edhe mjete të koduara të komunikimit në internet për koordinim ndërkufitar dhe rekrutimin e anëtarëve të rinj.
Tregjet online dhe bursat e kriptomonedhave, si zona të reja dhe më pak të rregulluara të aktivitetit financiar, do të përdoren për fshehjen dhe mbrojtjen e fitimeve të paligjshme.
AKS-ja paralajmëron se rrjetet kriminale do të vazhdojnë të rekrutojnë persona të rinj, si mënyrë për të vështirësuar identifikimin dhe ndjekjen penale të rrjetit kriminal dhe anëtarëve të tij në pozita të larta.
Shërbimet e huaja të inteligjencës do të vazhdojnë interesin për Maqedoninë
Në vlerësim thuhet gjithashtu se shërbimet e huaja të inteligjencës dhe aktorët e tyre ndërmjetësues do të vazhdojnë të kenë interes për Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2027.
Sipas AKS-së, aktivitetet e tyre pritet të orientohen drejt mbledhjes së informacioneve të ndjeshme dhe përpjekjeve për të ndikuar, përmes metodave hibride, mbi vendime të rëndësishme, si dhe për të dëmtuar punën dhe reputacionin e institucioneve shtetërore.
Rrezik të veçantë paraqesin aktivitetet ku veprimtaria e inteligjencës kombinohet me sulme kibernetike, presion ekonomik, dezinformim dhe përpjekje për komprometimin e individëve dhe institucioneve.
Rrezik i ulët nga aktet terroriste, por monitorohen “ujqërit e vetmuar”
Rreziku nga aktet terroriste vlerësohet si i ulët, pavarësisht tendencave globale dhe rreziqeve që vijnë nga individë dhe grupe të motivuara ideologjikisht.
Sipas AKS-së, rreziqet për sigurinë kombëtare vazhdojnë të jenë të lidhura kryesisht me organizata terroriste transnacionale si ISIS dhe Al-Kaeda, si dhe me grupet e tyre që veprojnë në rajon.
Megjithatë, radikalizimi online dhe ndikimi i rrjeteve terroriste ndërkombëtare në internet mbeten shqetësim.
Prania e luftëtarëve të huaj terroristë të kthyer në vend konsiderohet gjithashtu një rrezik potencial për përsëritjen e aktiviteteve ekstremiste dhe indoktrinimin ideologjik të të rinjve, të cilët potencialisht mund të kryejnë akte të izoluara të dhunshme me elemente terrorizmi.
Prioritetet e AKS-së do të jenë monitorimi i sigurisë kibernetike në hapësirën virtuale, zbulimi dhe parandalimi i aktiviteteve të të ashtuquajturve “ujqër të vetmuar”, monitorimi i luftëtarëve të huaj terroristë të kthyer, shkëmbimi i të dhënave të inteligjencës dhe parandalimi institucional.
Rrezik i ulët nga ndikimi rus në proceset politike zyrtare
Në pjesën për aktivitetet e Federatës Ruse, AKS-ja maqedonase i cilëson ato si një rrezik të rëndësishëm të sigurisë, për shkak të mënyrës së veprimit hibrid dhe të fshehtë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor.
Sipas vlerësimit, përmes këtyre aktiviteteve synohet krijimi i përçarjeve të brendshme, ruajtja e “konflikteve të ngrira”, dobësimi i besimit te institucionet dhe cenimi i vlerave evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, rreziku nga ndikimi i drejtpërdrejtë rus mbi proceset zyrtare politike në vend vlerësohet si i ulët, për shkak të konsensusit ekzistues kombëtar për përcaktimin e orientimit strategjik të shtetit.
Në të njëjtën kohë, pritet që ndikimi i tërthortë rus dhe aktivitetet përmes aktorëve ndërmjetësues të vazhdojnë me të njëjtin intensitet përmes mediave, rrjeteve sociale, ndërmjetësve rajonalë dhe individëve ose grupeve vendase.
Vëmendje e veçantë u kushtohet fushatave të koordinuara ku dezinformimi kombinohet me aktivitete kibernetike, financim të fshehtë dhe përdorimin e ndërmjetësve lokalë.
AKS-ja vlerëson se, deri në integrimin e plotë të vendit në BE, Rusia do të vazhdojë në mënyrë të tërthortë të stimulojë mosmarrëveshjet dypalëshe me qëllim ngadalësimin e perspektivave evropiane të vendit.
Ndikimi kinez – rrezik i ulët, por me tendencë rritjeje
Sa i përket aktiviteteve të Kinës, në vlerësim thuhet se prania e kompanive, investimeve apo institucioneve kineze, në vetvete, nuk përbën rrezik sigurie.
Megjithatë, sipas AKS-së, rreziku i sigurisë i lidhur me Kinën vlerësohet si i ulët, me tendencë rritjeje në sektorë të caktuar strategjikë, veçanërisht aty ku ekziston varësi afatgjatë nga teknologjia, financat apo furnizuesit e huaj.
Rreziku kryesor, sipas vlerësimit, lidhet me mundësinë e krijimit të varësisë ekonomike, teknologjike ose informative.
