BDI kërkon hetim për „Alta Bankën“: Bilalli Zendeli drejton gishtin nga Guvernatori, Qeveria dhe Komisioni i letrave me vlerë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 nëntor Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, do të kërkojë përgjegjësi politike dhe penale për marrjen në pronësi të ish-Bankës Ekonomike të Manastirit nga banka serbe „Alta Banka“. Kështu deklaroi nënkryetarja e partisë, Arta Bilali Zendeli, në një intervistë për emisionin „Triling“.

Ajo vlerësoi se ky rast nuk duhet të jetë vetëm objekt i një seance mbikëqyrëse në Kuvend, por duhet të hetohet edhe nga Prokuroria, Policia Financiare dhe institucionet e tjera kompetente.

“Unë, si juriste dhe si specialiste e së drejtës penale, mendoj se mbikëqyrja e këtij rasti duhet të shkojë përtej seancave mbikëqyrëse. Ne kemi gjykata, prokurori dhe Polici Financiare, të cilat duhet ta verifikojnë rastin dhe të zhvillojnë procedurë”, deklaroi Bilali Zendeli.

E pyetur nëse BDI do të kërkojë përgjegjësi politike dhe penale, ajo u përgjigj pozitivisht.

Kërkesat e saj vijnë pas vendosjes së administrimit të përkohshëm në „Alta Banka“ SHA Manastir, pasi pronarit shumicë të saj, „Alta Banka“ SHA Beograd, iu revokua licenca për punë në Serbi.

Biljali Zendeli konsideron se institucionet kompetente duhet të japin përgjigje se si është miratuar transaksioni përmes të cilit banka serbe u bë pronare shumicë e bankës në Manastir.

Ajo përmendi guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, kryetaren e Komisionit për Letra me Vlerë dhe Qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe VLEN-i, si aktorë institucionalë dhe politikë prej të cilëve pret përgjegjësi.

Sipas saj, marrja në pronësi nuk mund të ishte realizuar pa dijeninë dhe mbështetjen e strukturave më të larta shtetërore.

Ajo e lidhi hyrjen e bankës serbe në tregun maqedonas me atë që e cilësoi si aleancë politike mes Viktor Orbanit, Aleksandar Vuçiqit dhe Hristijan Mickoskit.

artikuj të ndërlidhura