Shkup, 6 nëntor Zhurnal.mk – Pas gati pesë orësh ndërprerje, është rikthyer furnizimi me energji elektrike në një pjesë të qendrës së Shkupit. Defekti në afërsi të Kuvendit është riparuar pas ndërhyrjes së ekipeve të EVN-së.
Disa institucione shtetërore, si dhe objekte banimi dhe afariste, sonte mbetën pa energji elektrike. Ndër to ishin Gjykata Administrative, objektet në afërsi të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Enti Shtetëror i Statistikave, si dhe hapësirat e Televizionit 21. Ndërprerja përfshiu edhe një pjesë të rrugës “Maqedonia”.
Problemi u shfaq në afërsi të Kuvendit, ku aktualisht po zhvillohen punime ndërtimore për ndërtimin e një parkingu të ri.
Pas reagimit të Qytetit të Shkupit, shërbimet e qytetit u përfshinë në aktivitetet për tejkalimin sa më të shpejtë të problemit, ndonëse riparimi i defekteve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike nuk është në kompetencë të drejtpërdrejtë të tyre.
Pas disa orësh ndërhyrjeje në terren, defekti u eliminua dhe furnizimi me energji elektrike në objektet e prekura u normalizua.
Gjithashtu, me urdhër të kryetarit të Qytetit të Shkupit, gjatë ditës së nesërme një ekip i veçantë i qytetit do të ndërhyjë në hapësirën prapa Kuvendit, ku është paraparë vendosja e ndriçimit të ri rrugor.
Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është përmirësimi i ndriçimit të hapësirës publike dhe rritja e sigurisë së qytetarëve që qarkullojnë në këtë pjesë të qendrës së kryeqytetit.
Edhe pse riparimi i defektit në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike është në kompetencë të shërbimeve përkatëse, Qyteti i Shkupit u përfshi duke ofruar mbështetje dhe koordinim, me qëllim normalizimin sa më të shpejtë të gjendjes.
Ky është ndërprerja e dytë e këtij lloji në furnizimin me energji elektrike në këtë zonë gjatë javëve të fundit, gjë që ngre çështjen e nevojës për mbrojtje shtesë të infrastrukturës nëntokësore gjatë realizimit të punimeve ndërtimore.
Deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar për shkakun e saktë të defektit, e as nëse ai lidhet drejtpërdrejt me ndërtimin e parkingut prapa Kuvendit.
Me ndërhyrjen e sontme, furnizimi me energji elektrike është normalizuar, ndërsa për nesër është paralajmëruar rregullimi shtesë i ndriçimit rrugor në këtë lokacion.
