Shkup, 6 nëntor Zhurnal.mk – Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut, para disa ditësh, mbajti Konferencën e saj të XI-të Shkencore, me temën bosht „Sfidat e decentralizimit dhe komunat shqiptare në Maqedoninë e Veriut“.
Në përgjigje të thirrjes publike për pjesëmarrje, nga gjithsej 23 punime të paraqitura, në konferencë u prezantuan 17 kumtesa nga studiues, profesorë universitarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme shkencore. Punimet trajtuan aspekte të rëndësishme të decentralizimit politik, administrativ dhe fiskal, me fokus të veçantë në funksionimin e komunave shqiptare, arsimin, zhvillimin urban, ekonominë lokale, identitetin gjuhësor dhe marrëdhëniet ndërinstitucionale.
Konferenca u karakterizua nga një nivel i mirëfilltë shkencor dhe diskutime që synuan të ofrojnë një pasqyrë kritike të gjendjes aktuale të vetëqeverisjes lokale. Në shumë prej kumtesave u evidentuan jo vetëm problemet dhe mangësitë, por edhe mundësitë për zhvillimin dhe fuqizimin e komunave.
Një vend të rëndësishëm në konferencë zuri çështja e decentralizimit të arsimit. Prof. Dr. Xheladin Murati, në kumtesën me titull „Determinantet shoqërore-pedagogjike të decentralizimit të arsimit“, trajtoi rëndësinë e transferimit të kompetencave dhe përgjegjësive nga pushteti qendror te autoritetet lokale dhe institucionet arsimore. Ai theksoi se decentralizimi duhet të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të menaxhimit, transparencës dhe përshtatjes së politikave arsimore me nevojat e qytetarëve.
Ndërkaq, Prof. Dr. Avzi Mustafa, në punimin „Decentralizimi dhe menaxhimi i shkollave në rritjen e cilësisë në arsim në komunat shqiptare në Maqedoni“, vuri në pah rëndësinë e demokratizimit të institucioneve arsimore dhe përfshirjes së mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, drejtuesve të shkollave dhe aktorëve të tjerë shoqërorë në procesin e vendimmarrjes.
Prof. Dr. Xhemaludin Idrizi analizoi decentralizimin dhe arsimin në komunat shqiptare, me theks të veçantë në Komunën e Çairit në Shkup. Ai u ndal te kompetencat e pushtetit lokal, financimi i institucioneve arsimore, infrastruktura shkollore, burimet njerëzore dhe cilësia e procesit mësimor. Në këtë kontekst, u evidentua se komunat vazhdojnë të përballen me vështirësi financiare, infrastrukturore dhe kadrovike.
Prof. Dr. Abdulla Azizi theksoi se, megjithëse reforma e decentralizimit kishte për qëllim rritjen e autonomisë lokale, komunat shqiptare sot përballen me barriera të theksuara strukturore, të cilat pengojnë funksionimin e tyre efektiv. Qëllimi kryesor i studimit të tij ishte analizimi i shkallës së varësisë financiare të këtyre komunave nga pushteti qendror dhe vlerësimi i ndikimit të mungesës së kapaciteteve menaxhuese në realizimin e një decentralizimi të mirëfilltë.
Përmes një metodologjie të kombinuar, që përfshin analizën e të dhënave buxhetore, shqyrtimin e kornizës ligjore dhe intervistat me zyrtarë lokalë, punimi evidenton se transfertat e kushtëzuara nga qeveria qendrore mbeten burimi kryesor i mbijetesës financiare të këtyre komunave.
Çështjen e decentralizimit të arsimit e trajtuan edhe Prof. Asoc. Dr. Enida Kume dhe Prof. Dr. Miranda Rira, të cilat ofruan një këndvështrim krahasues ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Krahasimi nxori në pah dallimet në shpërndarjen e kompetencave, financimin dhe rolin e pushtetit qendror në administrimin e arsimit parauniversitar.
Një tjetër temë me rëndësi ishte autonomia juridike dhe financiare e komunave. Besart Belegu dhe Lavdrim Terziu trajtuan kufizimet juridike dhe financiare që pengojnë autonominë lokale në Maqedoninë e Veriut, duke sjellë edhe përvojën krahasuese të Kosovës.
Në punimin e tyre u theksua se transferimi i përgjegjësive te komunat duhet të shoqërohet me burime të mjaftueshme financiare dhe kapacitete administrative. Në të kundërtën, krijohet një hendek ndërmjet kompetencave të përcaktuara me ligj dhe mundësive reale për realizimin e tyre.
Në këtë drejtim, Dr. Muhamed Halili theksoi se decentralizimi është një proces që kërkon kohë dhe përfshin tri dimensione themelore: transferimin politik, administrativ dhe fiskal. Sipas këtij koncepti, decentralizimi nuk nënkupton vetëm bartjen e kompetencave, por edhe krijimin e kushteve që qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre lokalë të vendosin për prioritetet dhe problemet e komunitetit.
Konferenca trajtoi edhe transformimin e hapësirave urbane. Ardita Abduli u përqendrua në dimensionet fizike, institucionale dhe sociale të këtij transformimi, duke theksuar rëndësinë e faktorëve ekonomikë, institucionalë dhe demografikë në formësimin e qyteteve.
Prof. Dr. Nexhbi Veseli, Dr. Avni Arifi dhe Prof. Asoc. Dr. Teuta Kurtishi-Veseli prezantuan temën „Tetova: Ekonomia dhe zhvillimi ekonomik lokal“. Në këtë punim u trajtua pozita e Tetovës sipas Indeksit të Zhvillimit Komunal 2025, si dhe ndikimi i remitencave, migrimit dhe investimeve ekonomike në zhvillimin e qytetit dhe rajonit të Pollogut.
Dr. Donika Bakiu trajtoi peizazhin gjuhësor në komunat shqiptare, duke u përqendruar te shenjat publike, toponimia dhe simbolika gjuhësore në hapësirën publike. Ajo theksoi se prania vizuale e gjuhës në një mjedis shumëgjuhësor nuk është vetëm çështje komunikimi, por edhe pasqyrim i statusit institucional, politik dhe kulturor të komuniteteve.
Ndërkaq, Prof. Dr. Hasan Jashari, në kumtesën „Sfidat e decentralizimit të pushtetit dhe Marrëveshja e Ohrit“, shtroi çështjen e dallimit ndërmjet decentralizimit si parim demokratik dhe zbatimit të tij në praktikë. Ai vuri në pah hendekun ndërmjet kornizës normative dhe realitetit institucional në komunat me shumicë shqiptare, duke përmendur kufizimet në kompetencat komunale, varësinë financiare nga pushteti qendror dhe ndërhyrjet në çështje që lidhen me emërtimin e rrugëve, përdorimin e gjuhës, politikat arsimore dhe nderimin e personaliteteve lokale.
Në konferencë u trajtuan edhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Prof. Asoc. Dr. Besnik Murati dhe Liridona Hyseni u ndalën te zbatimi i marrëveshjeve të përbashkëta ndërqeveritare, duke vënë në pah mungesën e mekanizmave të rregullt të monitorimit, raporteve publike dhe transparencës për realizimin e tyre. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për përfshirje më të madhe të universiteteve, dhomave të tregtisë dhe shoqërisë civile në proceset e bashkëpunimit.
Prof. Dr. Ali Pajaziti dhe Besa Nuredini, kandidate për Ph.D., u përqendruan në një analizë të mbështetur në Teorinë e Krahasimit Shoqëror, Teorinë e Sistemeve Ekologjike dhe Teorinë e Përdorimeve dhe Kënaqësive. Ata theksuan se rezultatet në shëndetin mendor nuk përcaktohen vetëm nga sjellja individuale, por edhe nga arkitektura e platformave, pabarazitë socioekonomike dhe pritshmëritë kulturore që ndikojnë në pjesëmarrjen në hapësirën online.
Nga pikëpamja metodologjike, në hulumtimin mbi qytetërimin digjital dhe sfidat e shëndetit mendor u përdor një dizajn cilësor krahasues, duke integruar të dhëna të ndryshme.
Një dimension tjetër të diskutimit kulturor e solli Mel Ylliriani, me studimin mbi Manastirin e Shën Bigorit, të cilin e analizoi si hapësirë historike, kulturore dhe sakrale. Punimi trajtoi shtresëzimet e mundshme kulturore dhe simbolike të këtij monumenti, si dhe raportin ndërmjet kujtesës kulturore, identitetit dhe trashëgimisë shpirtërore të trevës së Dibrës.
Në përfundim të konferencës u theksua se Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut përbëjnë bazën normative për zhvillimin e decentralizimit, por realizimi i objektivave të tij varet në masë të madhe nga mënyra se si komunat i shfrytëzojnë kompetencat dhe burimet që kanë në dispozicion.
Komunat shqiptare duhet të zhvillojnë kapacitetet e tyre institucionale, të forcojnë administrimin financiar, të nxisin zhvillimin ekonomik lokal dhe të krijojnë institucione që do të kontribuojnë në ruajtjen dhe avancimin e identitetit kulturor e gjuhësor.
Konferenca dëshmoi se decentralizimi nuk duhet të mbetet vetëm një koncept juridik apo premtim politik, por duhet të shndërrohet në një proces funksional, përmes të cilit qytetarët do të kenë më shumë mundësi të ndikojnë në vendimmarrjen lokale dhe në zhvillimin e komuniteteve të tyre.
Me këtë konferencë, Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve vazhdon traditën e organizimit të tubimeve shkencore dhe të hapjes së debatit publik për çështje me rëndësi për shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
shkurtoje në lajm portalpërmirësoje titullin goditëshiq përsëritjet e panevojshme
