Shkup, 3 shtator, Zhurnal.mk – Një ngjarje shqetësuese është raportuar në zonën e Likovës, ku një foshnjë vetëm nëntëmuajshe dyshohet se është helmuar nga detergjenti.
Rasti ka ndodhur më 2 shtator 2026, ndërsa foshnja është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Ngjarja është raportuar menjëherë në polici.
Sipas informacioneve të bëra publike nga policia, rreth orës 18:52, Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar Sektorin e Punëve të Brendshme në Kumanovë se një foshnjë nëntëmuajshe nga një fshat i zonës së Likovës ishte sjellë në spital pasi ishte helmuar nga detergjenti.
Autoritetet kanë nisur veprimet për të përcaktuar saktësisht se si ka ndodhur incidenti dhe rrethanat që kanë çuar në helmimin e foshnjës.
“Po ndërmerren masa për zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
