Prishtinë, 7 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Kryeministri ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë, Åsa Pehrson, me të cilën, siç ka bërë të ditur, është takuar pas dy dekadash nga takimi i tyre i parë në Stokholm.
Përmes një postimi, Kurti tha se e ka falënderuar ambasadoren Pehrson për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Kosovës ndër vite.
“Pas dy dekadash nga takimi ynë i parë në Balkan Desk në Stokholm, u takuam sërish sot në Kryeministri me Åsa Pehrson, tash ambasadore e re e Suedisë në Prishtinë”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se Suedia ka qenë një vend mik i Kosovës dhe një prej donatorëve më të mëdhenj të vendit.
“Ambasadoren Pehrson e falënderova për të gjithë mbështetjen dhe kontributin që Suedia ka dhënë për vendin dhe popullin tonë, si para ashtu edhe pas çlirimit dhe pavarësisë”, thuhet në postimin e tij.
Kurti përmendi edhe kontributin e Suedisë në kuadër të misionit të KFOR-it, duke thënë se rreth 9 mijë ushtarë suedezë kanë shërbyer në Kosovë që nga çlirimi.
“Si një vend mik i Republikës së Kosovës dhe një ndër pesë donatorët tanë më të mëdhenj, 9 mijë ushtarë suedezë që kanë kontribuar në kuadër të KFOR-it që nga çlirimi, Suedia u bë shtëpi e shumë familjeve shqiptare të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë. Sipas Kurtit, ai e ka njoftuar ambasadoren e re për zhvillimet në ekonomi, përparimin në fushën e drejtësisë dhe çështje të tjera, ndërsa kanë biseduar edhe për situatën politike në vend.
“Duke e uruar për marrjen e përgjegjësisë së re, ambasadoren Pehrson e njoftova për zhvillimet në ekonomi dhe përparimin në fushën e drejtësisë dhe në fushat e tjera, si dhe biseduam për zhvillimet politike aktuale në vendin tonë”, ka shkruar ai.
Kurti tha se ka kërkuar nga Suedia vazhdimin e mbështetjes për Kosovën në procesin e integrimit euro-atlantik.
“Po ashtu kërkova vazhdimin e mbështetjes së Suedisë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në institucionet euro-atlantike”, shkroi Kurti.
