Mickoski: Me investim prej 2,7 milionë euro u modernizua aeroporti “Shën Apostol Pali” në Ohër

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 shtator, Zhurnal.mk – Me investim prej 2,7 milionë euro përfundoi modernizimi i aeroportit “Shën Apostol Pali” në Ohër, ku u rikonstruktua terminali i pasagjerëve, u zgjerua hapësira e check‑in, zonat për kontrollin e sigurisë dhe bagazhin dorë, si dhe u rrit numri i sporteleve.

Në hapjen zyrtare për përdorim, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se me aktivitetet e ndërmarra përmirësohet dukshëm cilësia e shërbimeve për të gjithë përdoruesit.

“Me këtë aeroporti i Ohrit merr një dinamikë tjetër, një dritë tjetër, një cilësi tjetër dhe jam i bindur se në periudhën që pason numri i pasagjerëve, por edhe numri i kompanive që i përdorin shërbimet e aeroportit të Ohrit do të rritet. Këtë vit shënohen rekorde në aeroportin e Ohrit ‘Shën Apostol Pali’. Kemi ditë me numrin më të madh të pasagjerëve deri tani në histori — më shumë se 3.000. Po ashtu ka edhe ditë kur kemi më shumë se 20 fluturime, që vetvetiu paraqet një të dhënë të rëndësishme që meriton respekt. Jam i bindur se në periudhën që pason me të gjitha aktivitetet ndërtimore dhe mbështetjen që e japim si Qeveri, këto shifra do të dyfishohen, do të trefishohen dhe do të arrijmë në shifra që paraqesin objektivin tonë të ri”, tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit Aleksandar Nikolloski theksoi se pas përfundimit të punimeve ndërtimore praktikisht hapet një terminal i ri, duke kujtuar se ndërhyrjet e mëdha të mëparshme datojnë që nga viti 1970.

Aeroporti i Ohrit vetëm nga janari deri në qershor të këtij viti ka mbi 240.000 pasagjerë, ndërsa të dy aeroportet këtë vit së bashku do t’i afrohen 4 milionëve, diçka që ishte e paimagjinueshme për aeroportet tona, dhe do të vazhdojmë të rritemi – tha Nikolloski.

Ai shtoi se intensifikohen edhe punimet në autostradën Kërçovë – Ohër, duke theksuar se pjesa deri te aeroporti është tashmë e përfunduar.

“Segmenti më i vështirë do të hapet në muajt e ardhshëm. Pres gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm të hapet e gjithë autostrada, dhe sigurisht vazhdojmë edhe me punën në segmentet e tjera që duhet të nënkuptojnë lidhje edhe me Shkupin dhe me aeroportin e Shkupit”, njoftoi Nikolloski.

Drejtori ekzekutiv i TAV Maqedonia, Serkan Kaptan, theksoi se e gjithë investimi është realizuar pa ndërprerje të trafikut të rregullt ajror, duke shtuar se investimet e përgjithshme të kompanisë në vend kanë arritur pothuajse 300 milionë euro.

“Në këtë periudhë, e kemi rritur lidhshmërinë dhe trafikun vjetor më shumë se katër herë. Në vitin 2026, aeroportet maqedonase janë ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë. Arritëm rritje prej pothuajse 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Aeroporti i Ohrit shënoi korrikun më të suksesshëm në historinë e vet, duke vendosur rekorde të reja si në numrin e pasagjerëve ashtu edhe në numrin e fluturimeve të realizuara”, tha Kaptan.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër