Levica: Brutalizim partiak i Komisionit shtetëror të shkallës së dytë DPMNE e shndërroi institucionin e pavarur në shtab partiak

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 shtator, Zhurnal.mk – Komisioni shtetëror i shkallës së dytë, i cili duhet të funksionojë si organ i pavarur, i liruar nga ndikimet politike dhe partiake, është shndërruar në një degë tjetër partiake të DPMNE‑së. Te Levica kanë arritur informacione nga sinjalizues për paligjshmëri serioze në punën e Komisionit, ndikime të forta partiake dhe urgjenca gjatë vendimmarrjes për lëndë të rëndësishme nga kontestet e punës, administrative dhe inspektuese.

Kryetar i këtij komisioni shtetëror është Ilçe Musharevski, aktivist i gjatë partiak i DPMNE‑së, i cili, sipas informacioneve me të cilat disponon Levica, është instaluar drejtpërdrejt nga nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski. Musharevski ka qenë anëtar i Komisionit juridik të DPMNE‑së, ndërsa në të kaluarën ka punuar edhe në Entin shtetëror për revizion, përsëri si shpërblim për angazhimin e tij partiak.

Anëtare e Komisionit është edhe Tanja Dedejska, ish‑këshilltare e DPMNE‑së në Këshillin e Komunës së Strumicës. Veçanërisht problematike është se Dedejska vitin e kaluar, gjatë zgjedhjes në Kuvend, ka dorëzuar deklaratë të noterizuar se “nuk është anëtare e partisë politike”, megjithëse në të njëjtën periudhë ka qenë këshilltare nga radhët e DPMNE‑së në Këshillin e Komunës së Strumicës.

Partizimi plotësohet me Maja Biçikliska, bashkëshortja e ish‑zëdhënësit të DPMNE‑së, Aleksandar Biçikliskit, i cili sot paraqitet si “podkaster”, dukshëm i paguar nga Mickoski. Biçikliska gjatë karrierës së saj ka qenë e angazhuar në disa ministri, ndërsa në periudhën e pushtetit të LSDM dhe BDI ka qenë edhe këshilltare shtetërore në Ministrinë e Arsimit. Simptomatike është se Biçikliska është emëruar drejtoreshë e Drejtoratit për punë të përgjithshme në MPJ pikërisht kur Antonio Milloshoski ka qenë ministër. Meqenëse edhe kryetari Ilçe Musharevski njihet si bashkëpunëtor personal i Milloshoskit, është e qartë se Komisioni punon nën kontroll të drejtpërdrejtë të Milloshoskit.

Në përbërjen e Komisionit figuron edhe Irena Brzanova, e cila ka qenë kryetare e këtij organi në periudhën e pushtetit të Nikolla Gruevskit dhe e njëjta ka qenë pjesë e Komisionit juridik të DPMNE‑së. Edhe një anëtar tjetër nga komisioni juridik i DPMNE‑së që instalohet në këtë organ është edhe Sashko Gruevski, aktivist partiak i cili “çuditërisht”, në kohën e LSDM është punësuar në Entin shtetëror për revizion, për pastaj DPMNE ta shpërblejë si anëtar në komisionin e shkallës së dytë.

Anëtare e këtij Komisioni të kapur është edhe avokatja Simona Leskaroska, aktiviste e gjatë e DPMNE‑së dhe (përsëri) anëtare e komisionit juridik partiak të DPMNE‑së. Ekzistojnë indikacione se pozicionin e saj në Komisionin shtetëror e përdor për përfaqësimin e interesave të palëve të lidhura me veprimtarinë e saj avokatore.

Në Komision figuron edhe Vera Dimitrieva, e cila më parë ka punuar drejtpërdrejt në Kabinetin e kryeministrit gjatë pushtetit të Nikolla Gruevskit.

Për Levicën, përbërja e këtij organi hap dyshime serioze se në vend të institucionit të pavarur të shkallës së dytë – qytetarët kanë marrë konglomerat partiak të përbërë nga kuadro me lidhje të drejtpërdrejta me DPMNE‑në. Veçanërisht shqetësojnë informatat nga sinjalizues për urgjenca politike gjatë vendimmarrjes për lëndë konkrete, që është goditje e drejtpërdrejtë ndaj sigurisë juridike të qytetarëve dhe besimit në institucione. Levica në ditët e ardhshme do të publikojë pretendime serioze për partizimin brutal dhe punën e paligjshme në Komisionin shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative, procedura nga marrëdhëniet e punës dhe mbikëqyrje inspektuese në shkallë të dytë. Komisioni shtetëror i shkallës së dytë duhet të funksionojë si organ i pavarur, në vend si shtab partiak i DPMNE‑së me vulë shtetërore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër