Kreshnik Uka – ylli që po e bën dallimin te Malisheva: Mund të shpallemi kampion i Kosovës

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Në rast që Malisheva e ngritë nivelin dhe ka konsistencë nga ndeshja në ndeshje edhe mund ta fitojë epitetin e kampionit të Kosovës, kështu ka deklaruar ylli më në formë Kreshnik Uka gjatë një interviste për Telegrafin.

31-vjeçari është ambientuar shpejtë te skuadra e Thomas Bradric që kur iu bashkua nga Prishtina, ku menjëherë ka nisur ta bëjë dallimin me gola. Në vetëm tetë paraqitje, ai tashmë e ka tundur rrjetën plot shtatë herë, pra përfshirë ndeshjet në elitën kosovare dhe kualifikueset për Evropë.

Malisheva ishte e pafat në Evropë, ku pasi eliminoi Vllazninë e Shkodrës, shorti iu ra me Hibernianin, ku pësuan disfatë me rezultat të përgjithshëm 4-3 nga dy ndeshjet.

Sidoqoftë, ata kanë treguar krejt tjetër nivel në Superligën e Kosovës. Brenda katër xhirove të para, Malisheva është lider me 10 pikë, ndërsa ende nuk e dinë “shijen” e humbjes.

Uka i ka dhënë lvëdata lojtarëve dhe trajnerëve për këtë formë që po kalojnë, derisa shtoi se duhet ta mbajnë këtë ritëm.

“Kam filluar mjaft mirë sezonin me gola duke i ndihmuar skuadrës, momentalisht është një edicion interesant dhe pse është herët të vlerësohet”.

“Padyshim që meritë është e lojtarëve dhe e gjithë stafit të trajnerëve. Besoj që duhet ta mbajmë këtë ritëm edhe më tutje”, vazhdoi ai për Telegrafin.

Përkundër formës fantastike, Malisheva objektivin kryesor e ka daljen në Evropë, pavarësisht që Uka shpreson në diçka më shumë.

“Normal, objektivi kryesor është dalja në Evropë, por pse jo edhe titulli kampion”.

“Nëse e rrisim nivelin e paraqitjeve nga loja në lojë, me ndihmën e Zotit mund të shpallemi edhe kampion”.

Uka ndër të tjera komentoi edhe ndeshjen ndaj Hibernian. Aty, Malisheva shënoi fitore historike 2-0 në Prishtinë, megjithatë në ndeshjen kthyese skuadra skoceze tregoi kualitetin milionësh për të fituar me rezultat 4-1 dhe avancuar tutje.

“Ka qenë ekip i madh si Hibernian. Në ndeshjen e parë kemi pas rezultat pozitiv, ndërsa në ndeshjen e dytë kemi mundur të paraqitemi më mirë, mirëpo po e them se ata janë skuadër me vlerë shumë më të madhe sesa ne dhe besoj kjo e ka bërë dallimin mes dy ekipeve”.

I pyetur në fund për objektivin personal, ish-ylli i Prishtinës ishte i qartë: “Ta ndihmoj ekipin sa më shumë që të mundem me paraqitje të mira dhe pse jo me gola e asistime”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër