Mbrojtja e Thaçit kërkon lirimin e tij: Vendimi duhet të bazohet në prova, jo në spekulime

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokatja, Sophie Menegon ka thënë që vendimi i trupit gjykues ndaj klientit të saj duhet të bazohet në prova dhe rrjedhimisht ai të lirohet.

Sipas saj, vendimi nuk duhet të mbështetët në spekulimet e Prokurorisë.

 “Prokuroria iu kërkon juve që të dërgoni në burg z. Thaçi për 6 vjet për biseda që janë bërë në qendrën e paraburgimit të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale. Ne kërkojmë që vendimi i juaj që të bazohet në prova dhe jo në spekulime edhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.

Përveç kësaj, Menegon tha se dëshmitarët që janë përmendur në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve kanë pohuar se nuk janë ndikuar nga askush.

“Dëshmitarët e përmendur në aktakuzë siç është Mustafa, Bislim Zyrapi apo dëshmitari 4 kur janë marrë në pyetje nga ZPS-ja kanë pohuar se nuk ka ndërhyrë askush tek ata. Edhe në qoftë se një pjesë e informacionit pretendohet se është përmendur nga Thaçi gjatë vizitave ishte i klasifikuar si konfidencial në çështjen 6 në praktik, pjesa më e madhe e tij ishte në fushën publike apo që njihej nga vizitorët e Thaçit”, tha Menegon.

Rrjedhimisht, Menegon tha se në praktikë nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje.

“Në praktikë nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje”, tha ajo.

Menegon tha se Thaçi akuzohet për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes veprimeve të përbashkëta në një grup. Sipas saj, krimet e pretenduara nuk  ndiqen pothuajse kurrë penalisht në Kosovë.

“ZPS-ja e bën këtë për të justifikuar masat tejet ndërhyrëse që janë marrë ndaj Thaçi për muaj të tërë. Incizimet e bisedave të tij, bisedave telefonike, bisedat e privilegjuara përfshirë edhe ato me bashkëshorten dhe djalin e tij”, tha ajo.

Menegon shtoi se provat e prokurorisë janë të dobëta nga ana ligjore dhe ajo faktike.

Menegon deklaroi para trupit gjykues se ZPS-ja nuk ka paraqitur prova që dëshmojnë ndërhyrje apo ndonjë akt pengimi, për çka Thaçi dhe të tjerët akuzohen.

“Të nderuar gjykatës, ZPS-ja asnjëherë nuk ka qenë e qartë për format e përgjegjësisë penale për të cilat pretendon. Ka pasur disa hollësi të kufizuara qoftë në dosjen paraprake, qoftë në atë përfundimtare. Madje as sot në mëngjes nuk e diskutuan fare”, tha Menegon.

Ajo u ndal edhe te akuzat për ndërhyrje, duke theksuar se, sipas mbrojtjes, prokuroria nuk ka paraqitur prova për ndonjë akt të tillë.

“Sa i takon ndërhyrjes, nuk kanë asnjë provë. Nuk ka pasur asnjë akt pengimi”, u shpreh avokatja.

Sipas saj, ZPS-ja më pas është përpjekur të mbështetet në disa mospërputhje lidhur me format e përgjegjësisë penale, por pa analizuar në mënyrë të mjaftueshme interpretimin e tyre në të drejtën kosovare.

“ZPS-ja u detyrua pastaj të gjente disa mospërputhje sa i takon formave të përgjegjësisë penale, por nuk u thellua asnjëherë të shikonte se çfarë interpretimi është dhënë në të drejtën kosovare për format e përgjegjësisë penale”, deklaroi Menegon.

Avokatja shtoi se prokuroria nuk ka shpjeguar qartë se cilat prova i mbështesin këto akuza dhe, sipas saj, ka keqinterpretuar format e përgjegjësisë penale.

“Ajo as nuk ka shpjeguar se çfarë provash ka për këto akuza, madje ZPS-ja i ka keqinterpretuar format e përgjegjësisë penale dhe nuk i ka mbështetur me fakte”, tha Menegon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër