Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur sot se “Pasqyrë Albania” nuk është thjesht një përditësim digjital, por është një mënyrë e re pune për të gjithë administratën, me qytetarin në qendër, për të garantuar shërbime më të mira, pa vonesa dhe me zero burokraci.
Në një videomesazh në rrjetet sociale, Koçiu u shpreh se “përmes kësaj platforme, çdo kërkesë e qytetarëve do të ketë një përgjegjës dhe çdo institucion një detyrë të qartë: të marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e saj dhe t’i japë qytetarit përgjigjen dhe shërbimin që meriton”.
“Kjo është Besa jonë me qytetarët drejt Shqipërisë 2030: një administratë më efikase, më e përgjegjshme dhe më pranë qytetarëve”, u shpreh zv/kryeministrja Koçiu.
Koçiu informoi se po punohet për një mënyrë të re se si qytetari duhet ta përjetojë marrëdhënien me institucionet.
“Duhet të jemi shumë të qartë. Përgjigja ndaj një problemi nuk është një e-mail, një shkresë apo një njoftim që e lë qytetarin përsëri duke pritur. Përgjigje do të thotë të marrësh përgjegjësinë dhe ta çosh çështjen deri në fund. Pikërisht për këtë po ndërtojmë ‘Pasqyrë Albania’, një platformë në të cilën qytetari do të mund të shohë ku është çështja e tij, në çfarë faze ndodhet, cili institucion përgjigjet dhe kur duhet të marrë përgjigje. Dhe nëse çështja ngec, qytetari nuk duhet të vrapojë pas administratës”, u shpreh Koçiu.
Sipas saj, sistemi duhet të evidentojë vetë vonesën dhe ta çojë çështjen aty ku duhet për zgjidhje.
“Nëse i përket një institucioni tjetër të lëvizë çështja jo qytetari. Po transformojmë edhe platformën e bashkëqeverisjes që do të bëhet pjesë integrale e Pasqyrë Albania, në mënyrë që kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve të mos humbasin mes institucioneve, por të kenë gjurmë, përgjegjësi dhe rezultat. Sepse ky nuk është thjesht një përditësim dixhital, është një mënyrë e re pune. Qytetari ngre problemin, administrata merr përgjegjësinë dhe çështja ndiqet deri në fund”, u shpreh Koçiu.
