Dimitrovski në Sofje: Nuk kam udhëzime nga Qeveria se në cilën gjuhë të flas

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 shtator, Zhurnal.mk – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, sot mori pjesë në edicionin e pestë të forumit EU Meets the Balkans 5.0, që u mbajt në Sofje – njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Në fillim Dimitrovski e përshëndeti publikun në sallën e Parkut Teknologjik në gjuhën bullgare. Ai tha se nuk ka asnjë udhëzim nga Qeveria e Maqedonisë që përfaqësuesit tanë politikë dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera në Bullgari të flasin në gjuhën angleze.

“Unë mund të flas në gjuhën time amtare maqedonase, mund edhe në bullgarisht, të cilën e zotëroj, por e rëndësishme është të kuptohemi dhe e rëndësishme është çfarë do të them” – tha Dimitrovski.

Ai e theksoi përcaktimin e vendit tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se integrimi evropian mbetet qëllimi ynë strategjik.

“E ardhmja e vendit e shohim në Bashkimin Evropian. Qëllimi ynë është anëtarësimi i plotë, për të cilin po zbatojmë reforma dhe do të vazhdojmë të punojmë me dinamikë realisht të mundshme” – theksoi Dimitrovski.

Ai nënvizoi se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm proces zgjerimi, por edhe investim në sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës.

Dimitrovski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në zbatimin e reformave dhe harmonizimin me standardet evropiane, duke pritur që përparimi i arritur të vlerësohet siç duhet në procesin e anëtarësimit. Në këtë kontekst, ai e theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal për perspektivën evropiane të rajonit. Ai nënvizoi se vendi ynë angazhohet për përmirësimin e tyre përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv dhe realizimit të projekteve konkrete rajonale.

Sa i përket integrimit gradual, Dimitrovski theksoi se ai duhet të sigurojë përfitime konkrete evropiane për qytetarët dhe të zhvillohet paralelisht me procesin e integrimit të plotë, me perspektivë të qartë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

Duke u ndalur te çështja e të drejtave të njeriut, Dimitrovski nënvizoi se vendet anëtare të BE kanë qasje të ndryshme ndaj kësaj teme, por për vendin tonë respektimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve është përcaktim i qartë. Në këtë kontekst, ai theksoi se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë nuk paraqet problem, gjë që e konfirmon edhe plani i veprimit për pakicat, i cili i referohet të gjitha komuniteteve etnike në vend, përfshirë edhe komunitetin bullgar. Njëkohësisht, ai nënvizoi nevojën për respekt të ndërsjellë të standardeve evropiane, përfshirë edhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai shprehu pritje që dialogu me Bullgarinë të vazhdojë në periudhën e ardhshme, në drejtim të tejkalimit të çështjeve të hapura dhe përmirësimit të respektimit të ndërsjellë të të drejtave.

Në forum morën pjesë përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit, të cilët diskutuan për tema të lidhura me integrimin evropian të rajonit, si dhe sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër