ASH: VLEN premtoi se ish-ushtarët e UÇK-së nuk do të ndaloheshin më, çfarë ndodhi me atë marrëveshje

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët ka dalë me reagim pas ndalimit të mbrëmshëm të ish-luftëtarit të UÇK-së Fadil Pushkolli nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia.

Nga ASH thonë se ky rast kërkon përgjigje të menjëhershme nga VLEN.

“Më 15 mars 2025, Izet Mexhiti deklaronte publikisht se ishte arritur marrëveshje që ish-ushtarët e UÇK-së të mos ndaloheshin më në kufijtë e Maqedonisë së Veriut dhe premtonte një zgjidhje sistemore, ligjore dhe të përhershme. Një çerek shekulli në pushtet e në funksione publike, ndërsa Izet Mexhiti ende i’u flet shqiptarëve me premtime për “zgjidhje të përhershme”. Sot, realiteti po dëshmon diçka tjetër”.

“Çfarë ndodhi me atë marrëveshje? Sepse ky nuk është rasti i parë. Blerim Ramadani u arrestua në korrik të vitit 2024. Emin Bajrami u ndalua në shkurt të vitit 2025. Sot kemi rastin e Fadil Pushkollit. VLEN duhet t’i tregojë opinionit publik se çfarë vlere kanë premtimet e tyre kur ish-pjesëtarë të UÇK-së vazhdojnë të përballen me fletëarreste të lëshuara nga Serbia në territorin e Maqedonisë së Veriut”.

“Kërkojmë nga institucionet kompetente transparencë të plotë për rastin e Fadil Pushkollit, respektimin e të gjitha të drejtave të tij dhe sqarim të menjëhershëm mbi bazën juridike të ndalimit. Nga VLEN kërkojmë një përgjigje shumë të thjeshtë: ku mbeti “zgjidhja e përhershme” që ia premtuan opinionit publik? Pushteti matet me atë që realizon, jo me atë që premton”, thonë nga ASH.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër