Shkup, 24 shtator, Zhurnal.mk – Kërkesa për rritjen e pagës minimale në 600 euro është rikthyer sërish në aktualitet. Për këtë dhe shumë tema të tjera është diskutuar në emisionin “Impakt” në Televizionin Shenja, ku i ftuar ishte kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov. Me këto paga të ulëta, ai tha se as punëtorët nga vendet e treta nuk po qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut. Trendafilov theksoi se punëtorët dhe punëdhënësit, vitin e kaluar janë dakorduar për pagë minimale 500 euro, por Qeveria nuk e pranoi.
“Vitin e kaluar kërkesa e punëtorëve ishte që paga minimale të jetë më së paku 30 mijë denarë, jo pse dikujt ju ka kujtuar ashtu, por sepse të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave treguan se, vetëm me rritjen e pagës minimale bëhet presion ndaj të gjitha pagave të tjera. Dhe ne thamë, ja i keni të dhënat në tavolinë, le të ulemi të bisedojmë, të negociojmë dhe të shohim cilat janë mundësitë dhe në çfarë mënyre mund të gjendet metodologji e cila do të mundësojë që përkrah rritjes së pagës minimale të rriten edhe pagat tjera. Ata ishin tërësisht të shurdhër ndaj kërkesave të punëtorëve”, deklaroi Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM-së.
Ai u ndal edhe tek shporta minimale e konsumatorëve, e cila nga muaji në muaj shënon rritje. Sipas tij, pjesa më e madhe e të ardhurave të qytetarëve shpenzohet për ushqim, duke theksuar se punëtorët mezi arrijnë të sigurojnë nevojat themelore të familjeve.
“Kjo do të thotë se, punojmë vetëm që të fitojmë për t’u ushqyer. Kjo do të thotë se, shkojmë në punë dhe nuk kemi para për burek dhe jogurt thënë me gjuhën e popullit, që të mund të dërgojmë para në shtëpi, që të mund të blejmë ushqim për familjen. Nëse kemi parasysh se pikërisht vlera në pjesë e ushqimit dhe pijeve është afër pagës minimale, vlerës së pagës minimale, apo afër 25 mijë denarë nevojiten për një amvisëri të një familjeje katër anëtarëshe që t’i blejë 63 artikujt më të domosdoshëm ushqimor”, tha Trendafilov.
Duke ju referuar të dhënave të Eurostatit, por edhe të dhënave të Entit të Statistikave, kreu i LSM-së, tha se në Maqedoninë e Veriut, të dhënat tregojnë se puntorët shkojnë në punë vetëm për të mbijetuar.
