Nagavci: Kemi vetëm 11 ditë për zgjedhjen e presidentit, duhet strategji shtetërore pa protagonizma

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 25 shtator, Zhurnal.mk – Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se kanë mbetur vetëm 11 ditë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti do të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij për të siguruar zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Këto deklarata Nagavci i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se çështjet e rëndësishme për vendin duhet të adresohen përmes një strategjie shtetërore dhe pa protagonizma.

“Besoj se shumë shpejt kryeministri Kurti do të bëjë të qartë takimet e radhës se si duhet të adresohen. Ju e dini se ka qenë në një diskutim zyrtar ku ka paraqitur edhe qëndrimet e tij e të shtetit të Kosovës në takime të rëndësishme, por besoj që edhe në këtë periudhë të mbetur, ashtu sikurse deri më tani prapa, pra që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kryeministri Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje do të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij, besoni, që të kemi institucione funksionale të zgjedhim presidentin edhe të shmangim, të shmangim zgjedhjet e reja”, tha ajo.

Nagavci ka theksuar se koha në dispozicion është e kufizuar dhe ka kërkuar që çështjet me rëndësi shtetërore të trajtohen përmes një qasjeje të përbashkët.

“Sikurse thashë, nga sot ne kemi vetëm 11 ditë që të zgjedhim presidentin e vendit, përndryshe do të shkojmë në zgjedhje të reja. Në këtë pikë është tejet e rëndësishme që si shtet çështjet që janë të rëndësishme t’i adresojmë me një strategji të mirëfilltë shtetërore, pa protagonizma”, tha ajo.

Sa i përket projektligjit të iniciuar nga PDK-ja pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, Nagavci ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes dhe grupet e tjera parlamentare nuk janë konsultuar për këtë nismë.

“Natyrisht se ne do të japim kontributet tona, por duhet të përmendet që askush, me sa unë jam në dijeni, nga Lëvizja Vetëvendosje, pra qoftë nga deputetët, qoftë nga kolegët bashkëpunëtorët tanë, nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë të PDK-së. Pra, kjo duhet të jetë një nismë që na bashkon të gjithëve. Dhe ashtu sikurse veç e përmenda, jo vetëm që askush nga partitë, jo vetëm nga Lëvizja, por me sa e kuptova edhe nga partitë e tjera parlamentare nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë. Me aq sa kam dëgjuar përfaqësuesin e PDK-së ka deklaruar që është një grup i ekspertëve, disa ekspertë, që nuk e di kush janë që kanë dhënë kontributet e tyre. Por, ajo që është e rëndësishme është që, me sa unë jam në dijeni, as ekipet mbrojtëse të katër krerëve të UÇK-së nuk janë konsultuar në lidhje me këtë projektligj”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër