Demo takon ambasadorin italian: Forcim i partneritetit strategjik

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Italisë, Marco Alberti, ku në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve mbështetet në një kuadër të konsoliduar marrëveshjesh dhe protokollesh dypalëshe në fushën e sigurisë, migracionit dhe menaxhimit të kufirit.

“Në qendër të tij janë hetimet dhe operacionet e përbashkëta kundër krimit të rëndë e të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe qenieve njerëzore, si dhe parandalimi i veprimtarive kriminale ndërkufitare”, theksoi Demo.

Demo vlerësoi gjithashtu mbështetjen dhe ekspertizën italiane në forcimin e kapaciteteve hetimore dhe ndërinstitucionale, zhvillimin profesional të agjencive ligjzbatuese dhe përmirësimin e mjeteve operative.

“Kjo punë e përbashkët forcon sigurinë e qytetarëve dhe na ndihmon të përmbushim angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër