MEPSO nis modernizimin e trafostacioneve, investime edhe në Shkup 4

Nga R.ZH
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 tetor, Zhurnal.mk – MEPSO ka nisur investime në modernizimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike, me fokus në rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të rrjetit. Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, gjatë një vizite në terren, ka bërë të ditur se një nga projektet përfshin edhe rikonstruksionin dhe modernizimin e plotë të Trafostacionit Elektrik Shkupi 4 në Pintija, në afërsi të Studeniçanit.

Objekti i trafostacionit është ndërtuar në vitin 1976 dhe, pas pesë dekadash, do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë. Sipas Latifit, ndërhyrja nuk përfshin vetëm rinovimin e objektit, por synon edhe përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e efikasitetit dhe forcimin e sigurisë së sistemit të transmetimit të energjisë elektrike.

Në kuadër të projektit parashihet rikonstruksioni i gjithsej tetë trafostacioneve, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit energjetik dhe modernizimit të infrastrukturës ekzistuese.

Në Trafostacionin Shkupi 4, krahas punimeve të rikonstruksionit, është paraparë edhe instalimi i një centrali fotovoltaik, i cili do të shfrytëzohet për nevojat e vetë objektit.

Sipas drejtorit të MEPSO-s, Latifi, investimet janë pjesë e angazhimit për modernizimin e infrastrukturës së transmetimit dhe krijimin e një sistemi më të sigurt dhe më efikas.

“Përkushtimi ynë është i qartë: të jemi në terren, të investojmë dhe të modernizojmë infrastrukturën që kemi trashëguar”, ka deklaruar Latifi.

MEPSO thekson se përmes këtyre investimeve synohet që në të ardhmen rrjeti i transmetimit të energjisë elektrike të jetë më i sigurt, më efikas dhe më i qëndrueshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër