Hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, niset pakoja e parë nga Kosova drejt tregut EFTA

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka nisur zyrtarisht pakon e parë nga Kosova drejt tregut EFTA.

Nisja është bërë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, duke shënuar hapin e parë konkret të zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe hapjen e mundësive të reja për eksportuesit kosovarë në tregjet e Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka thënë se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirtë ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s paraqet një hap të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe bizneset kosovare.

Mehmeti tha se marrëveshja u krijon bizneseve kosovare mundësi për qasje në katër tregje, atë të Zvicrës, Norvegjisë, Lihtenshtajnit dhe Islandës.

“Shënojmë zyrtarisht hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s. Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm për ekonominë e Republikës së Kosovës, kryesisht për bizneset tona, të cilave u jepet një hapësirë dhe një mundësi me katër tregje të fuqishme ekonomike, siç është Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda”, ka thënë Mehmeti.

Sa i përket produkteve industriale, Mehmeti tha se është paraparë liberalizim i plotë i tregut për një numër të madh produktesh, përfshirë tekstilin, letrën, produktet e përpunuara si dhe produktet e industrisë së drurit dhe metalit.

Ndërsa, për produktet bujqësore dhe ushqimore, ai tha se trajtimi ndryshon sipas kategorive, ku për disa produkte është arritur tarifë zero, ndërsa për të tjera zbatohen tarifat e përcaktuara në marrëveshje.

“Ministria mbetet e përkushtuar që t’ju shërbejë bizneseve, gjithashtu të zbatojë marrëveshjen në vijim, po ashtu edhe është në dispozicion të bizneseve për t’i informuar për kushtet e reja për secilin shtet dhe për secilën kategori”, tha Mehmeti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër