Rama: Krijojmë kushte ë ekselenca në turizëm të bëhet forcë më vete, investime të mëdha gati të vijnë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 02 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se krijimi i kushteve për zhvillimin e turizmit të nivelit të lartë duhet të kthehet në një forcë të rëndësishme për ekonominë e vendit.

Rama iu drejtua sot me një fjalë edicionit të parë të “Future Hospitality Forum 2026”, ku Shqipëria po prezantohet si një destinacion me potencial në rritje për investimet në turizëm, duke sjellë në një tryezë të përbashkët aktorë të industrisë, marka ndërkombëtare dhe investitorë të interesuar për të ardhmen e sektorit.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama vuri theksin te transformimi i turizmit shqiptar dhe sfida e re për të kaluar nga rritja e numrit të vizitorëve drejt rritjes së cilësisë, ekselencës dhe investimeve me vlerë të lartë.

Rama theksoi se ajo që po shohim sot do të ishte absolutisht e paimagjinueshme pesë vjet më parë.

Në këtë drejtim, kryeministri kujtoi se Shqipëria nuk kishte asnjë hotel me pesë yje dhe përpjekja për t’iu afruar ekselencës së kësaj industrie ishte gjithmonë e sikletshme. “Vendi ynë ishte vërtet një vrimë e zezë në hartën e industrisë së turizmit në Europë dhe ata që ne i numëronim si turistë, shifrat mbi të cilat mbështeteshin statistikat tona, ishin praktikisht numrat e udhëtarëve që hynin e dilnin, përfshirë edhe ne vetë”, shtoi ai.

Ndërkohë, Rama tha se nga 2 milionë turistë milionë Shqipëria ka kaluar në mbi 12 milionë tursitë.

Por sipas tij, në vend që të gëzohemi për rritjen e kërkesës duhet të shqetësohemi për nevojën urgjente për të rritur cilësinë. “Të gjithë e dimë se një numër i madh turistësh me të ardhura mesatare dhe të ulëta ushtron një trysni të madhe mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe gjithashtu mbi njerëzit tanë. Sigurisht, e dimë se nuk ekzistojnë mekanizma për të penguar ardhjen e më shumë njerëzve, por në të njëjtën kohë, jemi shumë të vetëdijshëm se duhet të krijojmë më shumë hapësirë dhe më shumë kushte që ekselenca të vijë e të bëhet një forcë më vete në vend”, shtoi Rama.

Kryeministri u ndal te projektet me studiot arkitekture prestigjioze nga gjithë bota, ndërsa theksoi se “pikërisht përmes kësaj pune shpresojmë të ngjallim më shumë interes dhe të fitojmë më shumë terren për të pasur më shumë marka dhe më shumë turizëm me të ardhura të larta”.

“Ne na duhen më shumë dhe na duhen tani. E di se disa prej këtyre markave janë tashmë aktive. Disa ndoshta ende po e mendojnë, por ka të tjera që nuk janë ende këtu. Kjo është ajo që duam të bëjmë. Dhe ajo që kam mësuar gjatë këtij rrugëtimi është se çfarëdo që të thuash ka rëndësi, por deri në njëfarë pike. Më shumë rëndësi ka ajo që njerëzit shohin dhe përjetojnë”, u shpreh Rama.

Ndaj sipas tij, “këta miliona e miliona turistë kanë qenë forca që na ka ndihmuar më shumë për të këputur zinxhirin e stereotipeve dhe për ta çarë murin që ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e Europës dhe që ishte ngritur përgjatë shumë viteve nga paragjykimet, gjykimet e gabuara dhe gjykimet e pamatura”.

“Këta turistë janë bërë ambasadorët tanë më të mirë dhe miqtë më të mirë të Shqipërisë. Ata kanë ndihmuar që të vijnë më shumë njerëz, sepse, kur janë kthyer në vendet e tyre, kanë dëshmuar se Shqipëria nuk është vendi ku duhet të jesh i lumtur nëse të grabisin dhe nuk të përdhunojnë, por është vendi ku mikpritja është e natyrshme, ku dielli shkëlqen shumë më bukur se në Bruksel, ku ushqimi është shumë më i mirë se në shumë vende të Europës dhe çka është më e rëndësishmja, ku si natyra, ashtu edhe njerëzit, janë ende aty për të të përqafuar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se vendi është në rrugën e duhur dhe tani po përballet me një sfidë të re.

“Po përballemi me sfidën e frikës për të menduar në përmasa të mëdha dhe për të ëndërruar në përmasa të mëdha, për të qëndruar pa dyshime dhe pa u dridhur kur investime të mëdha janë gati të vijnë, kur miliarda e miliarda janë gati të investohen në Shqipëri për ta shndërruar këtë vend në diçka edhe më ndryshe nga ç’është sot. Por këto janë sfidat e përparimit, e ndryshimit dhe ne jemi këtu për t’u përballur me to, sepse e vetmja gjë dhe gjëja që dimë të bëjmë më mirë është të luftojmë”, tha ai.

Duke iu drejtuar investitorëve, Rama i siguroi se Shqipëria e ka kaluar pragun e saj më të vështirë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër