Podgoricë, 9 tetor Zhurnal.mk – Mali i Zi ka ndaluar blogerin rus të luftës dhe themeluesin pro-Kremlin të kanalit në “Telegram” ‘Rybar’, në të cilin janë publikuar edhe dezinformata për situatën në Kosovë.
Blogeri ushtarak rus pro-Kremlin, Mikhail Zvinchuk, themeluesi i rrjetit rus në “Telegram” ‘Rybar’, është arrestuar në Mal të Zi së bashku me disa bashkëpunëtorë nën dyshimin për përhapje të propagandës së Kremlinit dhe operacione të ndikimit informativ të huaj.
Arrestimi i Zvinchuk u njoftua nga kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili ka shkruar se ka dyshime për veprimtari hibride dhe përpjekje për destabilizimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Megjithatë, mesazhi pas aksionit të suksesshëm të sotëm, gjatë të cilit u ndalua drejtuesi i rrjetit informativ “Rybar”, është i qartë: institucionet po e kryejnë punën e tyre, Mali i Zi po i mbron interesat e veta dhe askush nuk do ta rrezikojë të ardhmen tonë evropiane” – thuhet në postimin e Spajiq.
Kanali rus në “Telegram” “Rybar” shpeshherë është përdorur si burim informacioni për rrjetin propagandistik “Pravda”, i cili publikon përmbajtje në gjuhën shqipe dhe shpërndan narrativa dezinformuese për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë ato politike dhe siguri.
Në raportin e BIRN dhe Internews Kosova, i publikuar më 27.03.2026, “Hartëzimi i dezinformatave”, “Rybar” përmendet në mesin e kanaleve të “Telegramit” që janë identifikuar si burime të përdorura nga rrjeti “Pravda” për artikujt e publikuar në shqip.
Raporti gjeti gjithashtu mospërputhje në publikimet për Kosovën, të cilat, varësisht nga gjuha në të cilën publikohen, shpesh përcjellin mesazhe të ndryshme për audienca të caktuara. Artikujt zakonisht nisin nga ngjarje reale, por përfshijnë komente nga administratorët e kanaleve në “Telegram”, duke e mjegulluar kufirin mes raportimit dhe opinionit. Sipas raportit, kjo qasje përzien faktin me trillimin për të krijuar narrativa dezinformuese më të besueshme.
Për shembull, më 30.09.2026, ndërrimin e komandës së KFOR-it, rrjeti “Pravda” duke cituar “Rybar” e kishte prezantuar si “marrje e kontrollit të KFOR-it në Kosovë nga ushtarët turq”.
KFOR-i është nën një zinxhir të vetëm komandues, nën autoritetin e komandantit të KFOR-it. Komandanti raporton te komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli të Italisë. Komandanti aktual është gjeneralmajor Özkan Ulutaş nga ushtria turke. Ai mori komandën e KFOR-it më 3 tetor 2025.
Shumë nga artikujt e rrjetit “Pravda” të analizuar në raport përmbanin pretendime të rreme ose mashtruese për zhvillimet politike në Kosovë, së bashku me interpretime në përputhje me narrativat e Kremlinit.
Sipas raportit që hartoi ndikimin e dezinformimit rus në Kosovë, këto narrativa rrezikojnë të thellojnë tensionet ndëretnike dhe të krijojnë klimë frike me pasoja të mundshme për stabilitetin kombëtar dhe sigurinë rajonale.
Raporti identifikoi disa grupe që shërbejnë si burime për dezinformim në gjuhën shqipe për rrjetin “Pravda”, përfshirë: “balkanar” (arkiva), “balkan_pro”, “rentv_news”, “MID_Russia“, “Tass_world”, “baltnews”, “infantmilitario”, “warhistoryalconafter”, “zvezdanews, ukr_2025_ru”, “vestiru2″, “belarusian_silovik”, “boris_rozhin”, “Politnavigator”, “ruptlyalert”, “balkanossiper”, “historiographe“, “radio_sputnik”, “darkzotovland”, “rybar_mena”,“news_1tv“, “russiau“, “militarycolumnist”, “rian_ru“, dhe “rybar“.
Sipas CNN, edhe vetë kanali “Rybar” në Telegram, njoftoi për arrestimin e Zvinchuk.
