Personat me aftësi të kufizuara në Tetovë, përballen me trotuare të bllokuara

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 11 tetor Zhurnal.mk – Trotuare të bllokuara dhe pa kyçje në nivelin e asfaltit për karrocat e personave me invaliditet, bllokim kalimesh nga dyqanet dhe restorantet me tavolina e mallra si dhe institucione pothuajse pa qasje për personat me invaliditet.

Këto janë sfidat e përditshme me të cilat në Tetovë, përballen personat që lëvizin me karroca. Apelet e kërkesat po bëhen me vite të tëra, por veshë për ti dëgjuar këto thirrje, nuk kanë as privatët e as institucionet.

“Trotuaret duhet të jenë të lëshuar në nivelin e asfaltit, për një arsye të thjeshtë sepse personat me karrocë kur tentojnë të ngrenë në dy rrotat e parme apo të pasme rrezikojnë të bien. Nëse është karroc elektrike sikur kjo që kam, rrezikon akumulatorët pasi të bie nga trotuari. Por edhe kur është i lëshuar trotuari në nivel të asfaltit pengojnë vozitës të pandërgjegjshëm që kanë bllokuar rrugën andaj edhe na rrezikohet jeta sepse detyrohemi të lëvizim rrugës”, deklaroi Avni Hismani.

Dy institucionet që frekuentohen më shumë nga personat me invaliditet trupor, janë pikërisht Qendra për Punë Sociale si dhe Spitali i Tetovës, por që të dyja qasjen deri tek zyrat e nevojshme e kanë pothuajse të pamundur.

“Një institucion i rëndësishëm për personat me aftësi të kufizuara fizike është Qendra për Punë Sociale në Tetovë ku ne nxjerrim dokumentet e nevojshme për të marr mjete ndihmëse siç janë pampersa kondom urinar e tjerë, por për ti nxjerr këto dokumente duhet dikush të na shoqëroj që ti dërgoj lartë vërtetimet në emër tonë. Spitali po ashtu jo në gjitha vendet ka rampë për të hyrë por edhe aty ku ka rampë ajo është shumë e pjerrët dhe nuk i plotëson standardet”, u shpreh Hismani.

Pas apeleve të shumta dhe kritikave sidomos për trotuarët, komuna e Tetovës ditë më parë ka ndërmarr një aksion për shtimin e kyçjeve në trotuare për personat me nevoja të veçanta.

“Kemi ndërmarrë aksion për uljen e trotuareve që personat me invaliditet ta kenë qasjen më të lehtë në trotuar dhe komuna po punon në drejtim të sigurimit të kushteve për këta persona. Po ashtu muajve të ardhshëm do të promovojmë edhe semaforët për personat e verbër dhe ata me aftësi të kufizuara”, theksoi zëdhënësi i komunës së Tetovë, Albion Alili.

Ndryshe, në qytetin e Tetovës, gjithsej janë të regjistruar rreth 650 persona me aftësi të kufizuara e të cilët për çdo ditë përballen me bllokime të ndryshme, por pas çdo aksioni që kryen komuna për pastrimin e tyre, të nesërmen çdo pengesë kthehet ku ishte.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër